Me vendim të këshillit bashkiak, studentët në Tiranë, nuk do të paguajnë më për abone, që të përdorin linjat e transportit publik qytetas.
Ky vendim u mor për të lehtësuar studentët nga rritja e çmimeve që vjen si pasojë e luftës në Ukrainë.
“I kemi pasur ne fokus të rinjtë, dhe detyra jone ka qenë fuqizimi i tyre dhe nëpërmjet abonesë falas dhe subvencionimit te konvikteve, mundohemi që sado pak tu lehtësojmë jetën te rinjve ne qytet, që janë e ardhmja e qytetit”, thotë Enkeleda Hamzaj, drejtoresha e Agjencisë së Rinisë.
Duke paraqitur kartën e studentit dhe një fotografi, në një nga 7 pikat e shpërndarjes së aboneve, të gjithë studentët e universiteteve publike dhe private të Tiranës, do të kenë mundësi që të pajisen me abone falas, të cilën do mund ta përdorin që prej datës 1 nëntor.
“Më shumë kërkesa për abone ka në dimër, më pak gjatë muajve të verës”, thotë Hamzaj.
Për studentët e rinj që ende nuk janë pajisur me kartën e studentit, mund aplikojnë ne fakultete përkatëse. Deri më tani ka mbi 60 mijë studentët që përfitojnë shërbime të ndryshme përmes saj.
“Me kartën e studentit marr disa shërbime që më vijnë në ndihmë, edhe aboneja falas me ndihmon”, shprehet studentja Kristela Kondo.
Gjatë kohës që do të përdorin transportin publik, studentët krahas abonesë do të duhet të paraqesin edhe kartën e studentit.
Top Channel