Histori jete përtej vetmisë në Gjirokastër, dy të moshuar rrëfejnë humbjet, bëjnë thirrje kundër vetmisë

04/10/2026 12:31

Pleqëria nuk është gjithmonë qetësi. Për disa, është koha kur humbjet dhe vetmia bëhen më të forta.

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Gjirokastër, Llambi Koroveshi dhe Meri Vlashi e kanë sjellë këtu historinë e tyre. Llambi jeton prej dy vitesh në këtë shtëpi. Djali i tij i vetëm, që jeton në Greqi, nuk ka qenë dakord me vendimin e të atit.

Por Llambi ka kaluar një dhimbje edhe më të madhe gjate  jetës ka humbur shtatë fëmijë. Sot, ai thotë se këtu ka gjetur shoqëri dhe nuk ndihet vetëm.

Meri ka një tjetër peng. Për 20 vite punoi si infermiere në Greqi, por nuk mundi të bëhej nënë. Fëmija që nuk erdhi kurrë mbeti pengu i madh i jetës së saj.

Dy histori të ndryshme, por e njëjta nevojë: të kesh dikë pranë. Në Ditën Kombëtare të të Moshuarve, ata u bëjnë thirrje të moshuarve që jetojnë vetëm të mos mbyllen në vetmi, por të kërkojnë shoqëri dhe kujdes.

Sepse vitet mund të na marrin shumëçka, por nuk duhet të na marrin edhe mundësinë për të pasur dikë pranë.

Top Channel