Për një sezon televiziv në Top Channel, 50 adoleshentë patën mundësinë të provonin nga afër zanate të ndryshme. Ata u mblodhën sërish, këtë herë në Ambasadën e Zvicrës, ku një ekspozitë fotografike shënoi përmbylljen e sezonit të tretë të “Punë pa teka”, i realizuar me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe GIZ-it, gjithashtu me ndihmën e AKPA.
Ambasadorja e Zvicrës, Siri Walt, shprehu konsideratën për mbështetjen e një projekti që vendos të rinjtë në qendër dhe i ofron mundësi punësimi.
“Të shohësh një projekt të tillë në Shqipëri më gëzon dhe jam e kënaqur që bashkëpunuam me Top Channel dhe GIZ”, tha ambasadorja e Zvicrës, Siri Walt.
Për drejtuesen e Top Channel, Lori Hoxha, projekte të tilla kanë vlerë për mënyrën se si prekin komunitetin. Ajo shprehu mbështetjen për nisma që e lidhin televizionin me jetën dhe nevojat e shoqërisë.
“Jam shumë mirënjohëse dhe krenare për çdo punë që Top Channel arrin të përcjellë dhe kur ekrani fiket dhe impakti që ka pasur Punë pa Teka ka qenë i jashtëzakonshëm. Punë pa Teka prek fiks atë që ne duhet të përcjellim tek të rinjtë që asgjë nuk është e vogël”, tha CEO i Top Channel, Lori Hoxha.
Mbrëmja bashkoi të rinjtë pjesëmarrës, përfaqësuesit e bizneseve, partnerët dhe ekipin e emisionit. Autorja e “Punë pa teka”, Kristi Gongo, falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij sezoni.
“Një sukses që ishte falë jush, por së pari falë familjes së Top Channel që gjithmonë gjen hapësirë për të ofruar programe që jo vetëm argëtojnë, informojnë, edukojnë, por është e rëndësishme dhe kemi kuptuar që me programin kemi bërë ndërmjetësin, kemi lidhur të rinjtë me tregun e punës”, tha autorja e emisionit Kristi Gongo.
Në qendër të mbrëmjes mbetën adoleshentët, të cilëve iu dorëzuan edhe certifikata pjesëmarrjeje.
“Ky emision është një vlerë e shtuar në promovimin dhe mundësitë që u jepen të rinjve”, tha drejtori i AKPA-së, Klevis Hysa.
“Faleminderit Top Channel që promovon këto lloj iniciativash dhe sot besoj se të rinjtë më shumë se kurrë kanë nevojë për këto lloj mesazhesh”, tha Sofjola Kukelli.
Mes fotografive dhe takimeve, u rikthye edhe mesazhi që shoqëron “Punë pa teka”: çdo punë meriton respekt.
Top Channel