Kryeministri Rama ndan foto nga Asambleja: 9 maji 2027 do të jetë dita e Europës dhe e PS-së, s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç

14/11/2026 20:55

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook fotografi nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë, ku ka përcjellë edhe një mesazh për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në reagimin e tij, Rama e cilëson historik rekomandimin e Raportit të Zgjerimit të BE-së për nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kreu i qeverisë thekson se ky është thelbi i arritjeve dhe përgjegjësisë së vendit, duke nënvizuar se asnjë zhvillim apo incident nuk duhet ta shpërqendrojë Shqipërinë nga objektivi i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.

“Rekomandojmë nisjen e përgatitjeve gjatë vitit 2027 për TRAKTATIN E ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË në Bashkimin Europian” është fjalia që Rama e cilëson historike, ndërsa në mesazhin e tij nuk ka munguar as një referencë ndaj protestave dhe incidenteve të fundit.

Duke komentuar mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kryeministri është shprehur se ka parë te socialistët entuziazmin për nisjen e një beteje të re politike dhe për një tjetër fitore.

Në fund të postimit, Rama ka bërë edhe një deklaratë për 9 majin e vitit 2027, duke e lidhur këtë datë me Bashkimin Europian dhe Partinë Socialiste.

“9 MAJI 2027 DO TË JETË DITA E EUROPËS DHE E PARTISË SOCIALISTE – për këtë s’ka nevojë të shkojmë deri në Kuç”, shkruan Rama.

Top Channel