PS nis përgatitjet për zgjedhjet e 2027, Balla në Asamble: Kryetarët të mos drejtojnë bashkitë nga Tirana

14/11/2026 13:49

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, që po vijon me dyer të mbyllura, kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka paraqitur disa kërkesa për organizimin e partisë dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, me synimin për të siguruar një rezultat sa më të mirë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.

Siç raporton gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, Balla kërkoi një proces të kujdesshëm përzgjedhjeje për kandidatët për kryetarë bashkie, duke theksuar se drejtuesit vendorë duhet të jenë pranë komuniteteve dhe jo ta ushtrojnë funksionin e tyre nga Tirana. Ai kërkoi gjithashtu më shumë organizim në betejën digjitale dhe vendosi si objektiv fitoren në 46 bashkitë e vendit.

Fjala e Taulant Ballës në Asamble:

“Duhet t’i shohim kandidatët për kryetarë bashkie në 2027, në funksion të fitores së zgjedhjeve edhe në 2029. Kryetarët e bashkive duhet të jetojnë 24 orë në komunitetet respektive. Jo të drejtojnë bashkinë nga Tirana.

Të bëjmë një proces të mirë përzgjedhës për Tiranën dhe të kandidojmë atë që na maksimalizon rezultatin. Na duhet të merremi dhe me betejën digjitale, për këtë duhet të kemi një organizim më të mirë. Partia Socialiste konkurron me objektivin e fitores së 46 bashkive”.

Top Channel