DITURIUM Media Lab, si partner i HR Club 2026, solli në fokus lidhjen mes formimit universitar, prodhimit mediatik dhe aftësive konkrete që kërkon sot tregu i punës. I konceptuar si një mini-media brenda ekosistemit universitar, DITURIUM Media Lab është i orientuar drejt prodhimit dhe transmetimit të përmbajtjeve mediatike, edukimit mediatik dhe zhvillimit të kompetencave praktike të studentëve. Prania e tij në HR Club 2026 konkretizoi pikërisht këtë lidhje mes universitetit, medias dhe tregut të punës: nga diskutimi akademik mbi komunikimin dhe median, drejt krijimit të produkteve konkrete mediatike.
Kjo qasje u konkretizua në HR Club 2026, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale të Universitetit Europian të Tiranës, në një aktivitet që synon të afrojë më drejtpërdrejt universitetin me tregun e punës. Takimi solli në auditor përfaqësues të institucioneve publike, kompanive private, universiteteve dhe profesionistë të fushave të ndryshme, duke krijuar një hapësirë diskutimi mbi ndryshimet që po pëson tregu dhe mbi mënyrën se si universiteti mund t’u përgjigjet këtyre ndryshimeve përmes programeve, moduleve dhe formave të reja të të nxënit.
“Ku ke punuar?” nuk është më pyetja e vetme dhe as thelbësore që shtrohet nga departamentet e burimeve njerëzore gjatë proceseve të rekrutimit. Në një treg pune që ndryshon vazhdimisht, pyetja që merr gjithnjë e më shumë rëndësi është: “Çfarë di të bësh?”. Kjo pyetje nuk lidhet vetëm me përfundimin e një programi studimi dhe marrjen e një diplome, por me formimin e një profili profesional të aftë për të zotëruar kompetenca konkrete dhe për t’iu përshtatur proceseve të reja të punës.

Përtej përditësimit të vazhdueshëm profesional dhe përdorimit të teknologjive të reja, disa sektorë kërkojnë një rikonceptim të vazhdueshëm të vetë profesioneve dhe produkteve që krijohen, në mënyrë që ato të përshtaten me dinamikat e tregut.
Në fjalën hapëse, dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini, së bashku me drejtueset e departamenteve, Prof. Dr. Erika Melonashi dhe Prof. As. Dr. Tidita Abdurrahmani, nënvizuan rëndësinë e ndërveprimit të vazhdueshëm të universitetit me tregun e punës.

“Duam të ruajmë komunikimin e vazhdueshëm me partnerët tanë të tregut në mënyrë që, së pari, të dimë se çfarë aftësish duhet t’u japim studentëve në vazhdim. Qëllimi është të bëjmë këtë lidhjen e domosdoshme me tregun e punës nga pikëpamja e përgatitjes së studentëve, jo thjesht dhënien e një diplome apo një profesioni, por edhe të aftësive konkrete që tregu kërkon”, theksoi profesore Budini.
Dekania Budini sqaroi se kjo qasje përbën një iniciativë qendrore të Universitetit Europian të Tiranës dhe se aktualisht drejtuesit e institucionit janë duke hartuar planin strategjik për orientimin e tij drejt hapjes së programeve të reja dhe përditësimit të kurrikulave, në përputhje me ndryshimet dhe kërkesat e tregut të punës.
Takimi u organizua në partneritet me READ-AADF, AMA, Start Up Albania, DITURIUM Media Lab, ISA dhe Metropol Post, duke e zgjeruar diskutimin përtej dimensionit akademik dhe duke sjellë në auditor eksperienca të drejtpërdrejta nga profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët vijnë si nga universitetet ndërkombëtare, ashtu edhe nga tregu vendas i punës.

Takimi u nda në tre sesione, ku secili iu dedikua njërit prej departamenteve dhe sfidave që karakterizojnë fushën përkatëse të studimit. Sesioni i Departamentit të Shkencave Humane dhe të Komunikimit solli në diskutim ekspertë të edukimit, medias dhe komunikimit, të cilët trajtuan çështje që lidhen me gazetarinë, marketingun, komunikimin profesional, edukimin mediatik dhe përdorimin e teknologjive të reja.
Në fokus ishte veçanërisht mënyra se si ndërtohet sot një produkt mediatik dhe se si ndryshon procesi i prodhimit në varësi të platformës dhe audiencës. Podcast-i, newsletter-i, përmbajtja editoriale dhe produktet për platformat sociale u trajtuan si forma të reja të komunikimit që kërkojnë jo vetëm njohuri teorike, por edhe aftësi praktike, teknologjike dhe kreative.
Në këtë kontekst, DITURIUM Media Lab merr një rol të veçantë si një mini-media që e afron studentin me vetë procesin e krijimit të produktit mediatik. Përmes këtij modeli, studentët mund të njihen me faza të ndryshme të punës, nga konceptimi dhe kërkimi, te shkrimi, prodhimi, editimi dhe publikimi i përmbajtjes. Kështu, laboratori shërben si një urë mes asaj që mësohet në auditor dhe aftësive që kërkohen në praktikën profesionale.
Paneli i parë, me fokus projektin “READ – Media Literacy Incubator: Applied Research and Practice for Digital Media”, përbëhej nga Elira Çanga, Arizona State University (READ Resident Scholar); Albana Shehaj, Harvard University (READ Diaspora Fellow); Tidita Abdurrahmani, Artur Jaupaj dhe Anjeza Xhaferaj nga UET.
Diskutimi u përqendrua te qëllimi dhe roli i medias në kontekstin bashkëkohor, mënyra se si ajo po riformësohet nën ndikimin e teknologjive të reja digjitale dhe ndikimi që këto ndryshime kanë mbi praktikën profesionale të studentëve të komunikimit dhe gazetarëve.
Pedagogët dhe kërkueset nga universitetet amerikanë ndanë eksperienca mbi mënyrën se si institucionet akademike po përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe po integrojnë module të reja në programet e studimit, me synim përgatitjen e studentëve për forma të reja të komunikimit dhe produkte të reja digjitale.
Paneli i dytë, i konceptuar në kuadër të projektit “AMA – DITURIUM MediaLab: Gazetari Etike, Edukim Mediatik dhe Kompetenca”, solli një ndërthurje mes perspektivës institucionale, eksperiencës profesionale dhe asaj akademike.
Në panel morën pjesë Alida Cenaj, drejtore Kabineti, AMA; Renato Civili, ekspert dhe trajner i marketingut digjital, drejtor i Komunikimit & PR, Gener 2; Indrit Ymeri, copywriter, Le Spot Group dhe Alumni UET; si dhe Dritan Idrizi, Erisela Marko, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi nga UET.
Diskutimi trajtoi diferencat mes profileve të ndryshme profesionale të komunikimit dhe mënyrën se si strategjitë e komunikimit ndryshojnë në varësi të qëllimit, audiencës dhe platformës. Një marketer nuk komunikon në të njëjtën mënyrë si një gazetar, ndërsa një profesionist i marrëdhënieve me publikun ka kërkesa dhe objektiva të ndryshme nga një krijues përmbajtjeje.
Në këtë pikë, DITURIUM Media Lab shërbeu edhe si një shembull praktik i mënyrës se si universiteti mund të krijojë struktura të reja për prodhimin mediatik dhe zhvillimin e kompetencave profesionale. Ky laborator nuk mbetet vetëm një hapësirë për konsumimin e informacionit, por shndërrohet në një mjedis ku studentët mund të marrin pjesë në krijimin e tij dhe të kuptojnë përgjegjësitë që shoqërojnë prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes.
Vëmendje të veçantë mori edhe etika e komunikimit, duke u sjellë në diskutim shembuj nga praktika dhe realiteti i medias shqiptare, veçanërisht mënyra se si forma e mesazhit dhe kërkesa për viralitet mund të ndikojnë në cilësinë dhe përgjegjshmërinë e komunikimit.
Paneli i tretë dhe i fundit i këtij sesioni, me fokus “Start Up Albania – Framewatch Albania: Platformë për Monitorimin dhe Analizën e Framing-ut dhe Narrativave Mediatike”, u drejtua nga dekania Belina Budini. Në diskutim morën pjesë Albana Nexhipi, editore dhe botuese e Metropol Post; Rrezart Bozo, programues, BalkanWeb; si dhe Anxhela Ferhataj, Albion Lushi dhe Sonila Gjypi nga UET.
Projekti solli në vëmendje një tjetër dimension të zhvillimit të aftësive mediatike: përdorimin e teknologjisë dhe metodave të reja për monitorimin, analizimin dhe kuptimin e narrativave që qarkullojnë në media. Në këtë mënyrë, studentët përballen me forma të reja të analizës së komunikimit dhe me mjete që lidhen drejtpërdrejt me transformimin e industrisë mediatike.
Departamenti i Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve mblodhi në sesionin e dytë përfaqësues të institucioneve dhe kompanive me të cilat bashkëpunon fakulteti. Ata sollën perspektivat e tyre mbi zhvillimet në sektorët përkatës dhe mbi kompetencat që kërkohen nga një profesionist i ri apo i sapodiplomuar.
Në këtë diskutim morën pjesë Rovena Caush, nëndrejtoreshë, Gjimnazi “Qemal Stafa”; Alteo Kasaj, Institute of Cognitive Behavioral Therapy; Bruno Ferra, Social Advisor, GIZ Albania; Migen Sulaj, Qendra KODDI; dhe Olsjana Luzi, Your Gym.
Një tjetër fushë ku transformimi teknologjik po sjell ndryshime të rëndësishme është arti. Inteligjenca Artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në prodhimin e muzikës, imazhit dhe formave të tjera artistike, duke hapur diskutime të reja mbi marrëdhënien mes teknologjisë, krijimtarisë dhe punës njerëzore.
Olta Ahmetaj, drejtorja Artistike e Cirkut të Tiranës; Armela Demaj, drejtorja e Teatrit Metropoli; dhe skulptori Emanuel Sali Koko sollën perspektivat e tyre mbi zhvillimet në artet skenike dhe pamore, nivelin e investimeve në këto sektorë dhe mënyrën se si po ndryshon vlerësimi i punës krijuese në kushtet e zhvillimit të teknologjive të reja.
Në përfundim të takimit, dekania Budini ftoi të pranishmit që ky diskutim të vijojë përmes partneriteteve dhe takimeve të vazhdueshme edhe pas rikthimit të studentëve në auditor, me fillimin e vitit të ri akademik. Një bashkëpunim i tillë shihet si i nevojshëm për të gjitha palët, në mënyrë që universiteti, institucionet dhe tregu i punës të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ndryshimet që po pëson profesioni.
Mbi të gjitha, këto iniciativa synojnë t’i ndihmojnë studentët të konceptojnë më qartë të ardhmen e profesioneve të tyre. Në një realitet ku diploma përbën vetëm një pjesë të profilit profesional, aftësia për të krijuar, komunikuar, përdorur teknologjinë dhe prodhuar vlerë konkrete po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Dhe pikërisht në këtë hapësirë mes universitetit dhe praktikës profesionale, struktura si DITURIUM Media Lab krijojnë një model të ri: nga studenti si konsumues i dijes, te studenti si krijues dhe prodhues i përmbajtjes dhe praktikës profesionale.
Top Channel