“Deputetët kanë mendime, por vendimi është politik”, Balla ju kujton rregulloren Braçes e Sinajt pas votës kundër për Territorialen
Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Qëndrimi i tyre është shfaqur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku drafti për hartën e re territoriale është hedhur në votim. Të dy deputetët kanë votuar kundër propozimit për shkrirjen e 15 bashkive.
Siç raporton gazetari i Top Channel. Muhamed Veliu, deputeti Sinaj e ka argumentuar qëndrimin e tij me kundërshtimin ndaj shkrirjes së Bashkisë Selenicë, e cila përfshihet në bashkitë që parashikohet të bashkohen në hartën e re territoriale.
Ndërkohë, ende nuk është bërë i ditur motivi konkret që ka çuar Erion Braçen të votojë kundër draftit. Gjatë mbledhjes, Braçe mësohet të jetë shprehur: “Më bën të shkoj drejt votës kundër”.
Propozimi i Partisë Socialiste parashikon që numri i bashkive në vend të reduktohet nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore.
Drafti po shqyrtohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa miratimi i reformës territoriale në Kuvend kërkon të paktën 84 vota.
Qëndrimi i Braçes dhe Sinajt pritet të jetë pjesë e diskutimeve politike rreth hartës së re territoriale, në një proces ku opozita ka kundërshtuar propozimin e mazhorancës dhe ka kërkuar një proces më të gjerë konsultimi me njësitë vendore.
Top Channel