Kërkojnë referendum kundër një “qiellgërvishtëseje”, por në kërkesën zyrtare fjala “qiellgërvishtëse” nuk ekziston.
Në vend të saj është shkruar “gjellgevtehtese”: “qiell” është kthyer në “gjell”, ndërsa pjesa tjetër e fjalës vështirë se mund të deshifrohet. Është vetëm një prej gabimeve të shumta drejtshkrimore në dokumentin që komiteti nismëtar ka depozituar në KQZ për kullën në Parkun Rinia.
Kërkesa është protokolluar në KQZ më 5 tetor 2026 dhe shoqërohet me firmat e 26 anëtarëve të komitetit nismëtar.
26 firmëtarët e tij ndoshta nuk kanë lexuar kërkesën që kanë firmosur, ku pothuajse në të gjithë tekstin mungon shkronja “ë”
Madje dhe pyetja që propozohet për referendumin është shkruar pa “ë”-të:
“A jeni dakord qe te ndertohet nje kulle tek Parku Rinia?”

Sipas rregullave të drejtshkrimit të shqipes duhet të ishte shkruar: “A jeni dakord që të ndërtohet një kullë te Parku Rinia?”
Gabimet vijojnë deri në fund të dokumentit.
Mes 26 firmëtarëve ka edhe emra të njohur publikë dhe persona të angazhuar në strukturat e Partisë Demokratike, mes tyre Adriana Kalaja, Agron Kuliçaj, Ledio Nuraj, Bujar Vukaj, Arben Ibroja, Gazmend Sallaku, Ylli Subashi, Jamarbër Malltezi dhe Nikolin Çali.

Kur këto gabime shfaqen në një dokument zyrtar, të hartuar për t’iu drejtuar një institucioni shtetëror si KQZ, çështja nuk mbetet vetëm te një “ë” e munguar apo disa fjalë të shkruara gabim. Ajo ngre edhe pikëpyetje për seriozitetin me të cilin hartohen dhe kontrollohen kërkesa të tilla.
Top Channel