Aksident tragjik në Florida/ Përmbyset autobusi i shkollës, dy persona humbin jetën, mes tyre një nxënëse
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë Rusinë pas rastit të një punonjëseje laboratorike që humbi jetën në një institut kërkimor kundër murtajës në Siberi.
Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, teksa po nisej për në Nebraska, Trump e përshkroi situatën si një problem serioz për Rusinë.
“Është një sëmundje e rëndë”, tha Trump, duke shtuar se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar Moskën.
“Ne do të ndihmojmë. Kushdo që ka një problem të tillë, ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë”, u shpreh presidenti amerikan.
Rasti në fjalë ka shkaktuar shqetësim publik në Rusi, pasi një punonjëse e Institutit Kërkimor Kundër Murtajës në Irkutsk, në Siberi, u sëmur dhe më pas ndërroi jetë. Autoritetet vendosën në karantinë dhjetëra persona që mund të kenë pasur kontakt me të.
Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar se gruaja ka vdekur nga murtaja. Autoritetet ruse kanë deklaruar se ajo ishte diagnostikuar me pneumoni me origjinë të panjohur dhe se testet nuk kanë gjetur prova për lidhje mes sëmundjes së saj dhe patogjenëve me të cilët punonte.
Rasti ka shkaktuar spekulime për një infektim të mundshëm me murtajë pulmonare, ndërsa autoritetet ruse kanë theksuar se situata është nën kontroll. Persona që kanë pasur kontakt me të janë vendosur nën mbikëqyrje mjekësore dhe janë marrë masa parandaluese në disa institucione shëndetësore në rajonin e Irkutskut.
SHBA-ja po e monitoron situatën. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se Uashingtoni po ndjek nga afër raportimet për rastin e dyshuar dhe ka bërë thirrje për transparencë nga autoritetet ruse.
Top Channel