IKMT ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës kompaninë “Ideal Construction” për ndërtim të jashtëligjshëm.
Dokumenti i kallëzimit është publikuar nga kryeministri Edi Rama, i cili kujton rastin e 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës tw ndërtuara pa leje.
IKMT kërkon që të nisin hetimet për shoqërinë ”IDEAL CONSTRUCTION” me administrator Ferzilet Hajdëri për veprën “Ndërtim i paligjshëm”.
“FLASIM NESËR PËR KËTË PËRSËRI, po le ta shikojnë pak dokumentin bashkëngjitur, veçanërisht ata miq të kësaj faqeje, që kanë sharë, akuzuar e fantazuar me mllef, për vendimin e qeverisë mbi metrat katrorë pa leje për qëllim fitimi!
Le ta lexojnë vetë se si kohë më parë, i është çuar prokurorisë së Tiranës, rasti i atyre 4 mijë e 646 metrave katrorë në qendër të Tiranës, të cilat dje i mori shteti për interes publik. Dhe ky nuk është i vetmi rast, po rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parellinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë.
Por natyrisht, turpi s’është i miqve që shajnë e akuzojnë këtu, të cilët në rastin më të mirë janë votues të verbër të palëve të tjera dhe në më të keqin, qytetarë të mërzitur me politikën, që gabimisht më dinë edhe mua si politikanët e pafytyrë, që tjetër thonë, tjetër bëjnë.
Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentat. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën.
I kanë bërë vetë ose do t’i bënin vetë po të kishin mundësi, të tëra zullumet e poshtërsitë për të cilat më akuzojnë mua! Prandaj edhe as e konceptojnë dot, që dikush mund ta udhëheqë këtë vend pa futur duart në xhepat e të tjerëve apo në arkën e shtetit; jo më të kenë pastaj edukatën elementare demokratike, që të mos ta akuzojnë tjetrin pa prova, për akte e vepra penale.
Unë natyrisht nuk jam i rënë nga qielli, po duan s’duan ata që s’duan, s’e kam bërë kurrë nën këtë qiell asnjë nga aktet a veprat në fjalë”, shkruan Rama.
Disa zyrtarë komisariatesh janë pezulluar sot nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shkak të ndërtimeve pa leje në zonën e Farkës në Tiranë.
Mësohet se është pezulluar nda detyra Bujar Mehmeti, shef i komisariatit nr 1, Flamur Sula shef i postës policore në Farkë si dhe disa policë që mbulojnë këto zona.
Ata do të jenë të pezulluar për një muaj, ndërkohë që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po zhvillon hetime për shpërdorim detyre për zyrtarët.
Hetimi ndaj tyre vjen pas vendimit të qeverisë për operacionin kundër ndërtimeve pa leje, i cili nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi.
Një ditë më parë është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin “Syri i Tiranës”.
Top Channel