Kostot e ndërtimit kanë vijuar rritjen e ndjeshme dhe në tremujorin e dytë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Duke sinjalizuar për një vazhdim të rritjes së çmimeve të apartamenteve. E njëjta tendencë është shënuar dhe për prodhuesit, që po shohin kosto 20.5% më të shtrenjta se në tremujorin e dytë 2021. Ndërsa është ngadalësuar rritja e çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2022, sërish mbeten 10.7% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Kjo tendencë sinjalizon se konsumatorët do të vijojnë të përballen me çmime të larta, pasi kostot e rritura nga bizneset do të transferohen në çmimin final për prodhimet që kanë destinacion tregun vendas, apo për shitjen e apartamenteve.
Kostot e ndërtimit rritje e pandalshme
Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2022 arriti 107,8 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2022 është 6,2%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,3%. Tendenca është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe lëndëve të para.
Sipas INSTAT, Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 15,5%, pasuar nga grupet, “Kosto të tjera” me 6,7%, “Shpenzime materiale” me 6,6%, “Shpenzime makinerie” me 4,1%, “Shpenzime për paga” me 2,9% dhe “Shpenzime transporti” me 1,2%. Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi”, shënuan rritjen më të madhe me 7,8%, pasuar nga nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 6,9% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 4,7%.
Prodhimi, 20.5% më i shtrenjtë se një viti më parë
Prodhuesit po përballen me rritje gjithnjë e më të larta të kostove, si për produktet në tregun vendas ashtu dhe ato për eksport.
Sipas INSTAT, Në tremujorin e dytë të vitit 2022, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit arriti 122,1 kundrejt vitit 2020. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 Indeksi i Çmimeve të Prodhimit shënoi një rritje me 20,5%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,6%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e dytë 2022 shënoi rritje me 3,3%, krahasuar me tremujorin e parë 2022.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2021 rritja me e madhe e çmimeve prej 44,9% vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” pasuar nga seksionet “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 28,5%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” ka shënuar rritje me 16,9%.
Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 30,9%, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 28,6%, “Prodhimi i produkteve metalike të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 25,2%, “Përpunimi i produkteve dhe preparateve farmaceutikë” me 23,6%, etj. Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 6,3%, pasuar nga seksionet “Prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me -2,3% dhe “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 0,2%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas: Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, indeksi shënoi rritje me 16,5%. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse” me 26,7%, pasuar nga seksioni “Industria Përpunuese” me 21,5%, seksioni “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 13,9%. Seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” ka shënuar ulje me 0,1%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport: Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, indeksi shënoi rritje prej 31,7%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar”, pasuar nga seksioni “Industri Nxjerrëse” me 60,4%, seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 28,8% dhe seksioni “Industria Përpunuese” me 10,9%.
Mallrat e importet 10.7% më të shtrenjta
Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Importit, në tremujorin e dytë të vitit 2022, arriti 112,1 kundrejt vitit 2020. Krahasuar me tremujorin e dytë 2021, indeksi i çmimeve të importit shënoi një rritje me 10,7%, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,7%. Krahasuar me tremujorin e parë 2022 indeksi shënoi një rritje me 0,4%.
Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri kondicionuar” kanë shënuar rritje me 73,5%. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese” me peshën më te madhe prej 91,4% shënoi një rritje me 8,4%.
Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Metalurgjia” me 18,4%, pasuar nga aktivitetet “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 16,6%, “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 15,4%, “Shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 14,8%, “Prodhimi i mjeteve të tjera të transportit” me 13,1%, “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 12,9%, “Prodhimi i pijeve” me 12,5%, “Prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 9,7%, “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 9,5%, “Prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 7,6%, etj
Top Channel