Fiks Fare/ 9 muaj që nuk përqafon djalin 2-vjeçar, nëna nga Durrësi denoncon: Ma mbajnë peng. Policia: Ik qërohu
Në Llixhat e Hidrait, në Njësinë Administrative Tregan, Bashkia Elbasan, turistët vijnë çdo vit për të gjetur shërim, por përballen me një realitet zhgënjyes.
Rrugë të amortizuara, mungesë investimesh dhe kushte minimale infrastrukturore.
Prej më shumë se një dekade, sipas banorëve dhe biznesit lokal, zona ka mbetur në vendnumëro. Edhe pse potenciali turistik është i madh dhe frekuentimi arrin deri në 5,000–6,000 vizitorë në vit, infrastruktura nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm zhvillimi.

Pronarët e hoteleve shprehen se situata nuk ka ndryshuar prej vitesh. Madje, në disa raste, ata janë detyruar të ndërhyjnë vetë për të rregulluar segmente të rrugës. Sipas tyre, mungesa e ndërhyrjeve nga institucionet ka krijuar vështirësi serioze për turistët, të cilët shpesh detyrohen të qëndrojnë brenda ambienteve të hoteleve për shkak të kushteve të këqija të lëvizjes.

“Turistët vijnë për të shëruar këmbët, jo për t’i dëmtuar më keq”, shprehet një prej pronarëve, duke theksuar ironinë e situatës.
Problematikat nuk ndalen vetëm te rrugët. Edhe menaxhimi i mbetjeve mbetet një shqetësim i vazhdueshëm. Pronarët thonë se shpesh duhet të kontaktojnë vetë administratorët për pastrimin e zonës, ndërkohë që në këtë destinacion operojnë mbi 30 hotele.

Gjendja e rënduar reflektohet edhe në tregun lokal, ku sipas tregtarëve, qarkullimi është i vështirë dhe autobusët hasin probleme në manovrim për shkak të infrastrukturës së dobët.

Edhe vetë turistët konfirmojnë të njëjtën tablo. Vizitorë nga Tirana dhe Kosova shprehen se, pavarësisht përmirësimeve në ndërtime, rrugët kanë mbetur të pandryshuara prej vitesh, ndërsa problemet me tubacionet e ujit vijojnë të jenë prezente.

Pas interesimit të Fiksit, Bashkia Elbasan ka reaguar duke premtuar ndërhyrje. Sipas përfaqësuesve të saj, në ditët në vijim pritet një ndërhyrje emergjente për sistemimin e rrugës ekzistuese, përmes mbushjes së gropave dhe stabilizimit të segmentit.

Megjithatë, për një zgjidhje afatgjatë, është parashikuar një projekt më i gjerë në buxhetin e vitit 2026, i cili aktualisht ndodhet në fazën e hartimit teknik. Ky projekt synon përmirësimin e aksit rrugor nga rruga e vjetër e Gramshit deri në Llixhat e Hidrait, duke përfshirë edhe zonat përreth.

Deri atëherë, Llixhat e Hidrait mbeten një destinacion me potencial të madh turistik, por të penguar nga infrastruktura. Një vend ku turizmi ekziston, por rruga për ta arritur mbetet ende problem.

Top Channel