Rritja e çmimeve fryn buxhetin/ Qeveria tejkalon planin për të ardhurat, TVSH efekt kryesor gjatë tremujorit të parë

21/04/2026 19:34

Në një periudhë kur qytetarët po përballen me çmime më të larta për shkak të përmbytjeve që prekën vendin në fillim-vit duke sjellë një shtrenjtim të prodhimit vendas dhe më pas efekti zinxhir i pasojave të konfliktit në Lindjen e Mesme, arka e shtetit ka regjistruar një performancë të mirë të të mbledhjes së të ardhurave me ndikimin kryesor TVSH.

Ministria e Financave për periudhën 3 mujore raporton 205.1 miliardë lekë të mbledhura nga tatimet dhe taksat në tremujorin e parë të vitit, duke u rritur me 24 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 13.3% më shumë.

Nga 77.7 miliardë lekë që ishin në total të ardhurat tatimore për këtë periudhë, 25.2 miliardë u mblodhën vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar, 19.4% më shumë krahasuar me vjet.

Kjo vlerë i atribuohet kryesisht inflacionit të çmimeve, në veçanti atyre të karburanteve dhe produkteve bujqësore, që nisën të rriten pas konfliktit në Lindjen e Mesme. Rritja e çmimeve shoqërohet drejtpërdrejt me rritjen e TVSH-së së paguar nga konsumatorët shqiptarë.

Si rezultat dhe të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u rritën më tej duke prekur vlerën e 19.6 miliardë lekëve. Një efekt pozitiv kanë dhënë dhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore teksa edhe reforma antiinformalitet ka vijuar edhe në 2026.

Sa i përket të ardhurave nga doganat të cilat arritën në 52.9 miliardë lekë, TVSH në import mban dhe peshën më të madhe me 35.3 miliardë lekë, pasuar nga akciza e taksat doganore.

Nga ana tjetër shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 3 mujore të vitit 2026, arritën në rreth 156 miliardë lekë, me një realizim në masën 92.9% e planit të periudhës.

Top Channel