QKB, bizneset e reja të regjistruara u rritën me 13.7% në mars 2026, shtohet dinamika e sipërmarrjes në vend

23/04/2026 09:53

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) publikon të dhënat mbi aktivitetin e regjistrave për muajin Mars 2026, të cilat konfirmojnë një dinamikë pozitive të sipërmarrjes dhe një zgjerim të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit Mars 2026 janë regjistruar 1,780 subjekte të reja, duke reflektuar një rritje të aktivitetit të biznesit. Krahasuar me Mars 2025, kur u regjistruan 1565 biznese të reja, trendi mbetet në rritje, rreth 13.7% më shumë, duke dëshmuar një klimë më aktive sipërmarrjeje dhe një ritëm më të lartë hyrjesh në treg.

Struktura gjeografike vijon të dominohet nga Tirana me 986 subjekte, e ndjekur nga Vlora, Durrësi dhe Fieri, duke konfirmuar përqendrimin e aktivitetit ekonomik në zonat urbane dhe bregdetare. Në aspektin e pronësisë, bizneset me kapital 100% shqiptar përbëjnë pjesën kryesore me 1,562 subjekte, por edhe subjektet me kapital të huaj dhe të përbashkët vijojnë të rriten.

Forma ligjore më e përhapur mbetet personi fizik me 1,291 regjistrime, i ndjekur nga shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar (482), duke reflektuar një strukturë tipike të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme në vend.

Sa i përket sektorëve, aktivitetet kryesore ku janë përqendruar regjistrimet e reja janë:

* tregtia me shumicë dhe pakicë (386 subjekte),

* akomodimi dhe shërbimi ushqimor (261),

* aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike (180),

* informacioni dhe komunikacioni (173),

* ndërtimi (159).

Një tregues i rëndësishëm mbetet edhe pjesëmarrja e grave në biznes, ku gjatë muajit Mars 2026 janë regjistruar 568 subjekte të administruara nga gratë, duke reflektuar një përfshirje në rritje të tyre në aktivitetin ekonomik.

Në Regjistrin e Lejeve dhe Licencave, janë regjistruar gjithsej 179 leje dhe licenca, nga të cilat 153 licenca dhe 26 leje. Sektori i shërbimeve shëndetësore, aktivitetet e transportit dhe turizmi vijojnë të kenë peshën kryesore në këtë regjistër.

Ndërkohë, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues janë regjistruar 505 subjekte, duke reflektuar vijimin e procesit të transparencës dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare për identifikimin e pronësisë reale.

Në total, gjatë muajit Mars 2026 janë regjistruar 11,784 aplikime në të tre regjistrat, çka përfaqëson një volum të lartë aktiviteti administrativ dhe një rritje krahasuar me Mars 2025.

Këto të dhëna konfirmojnë një zhvillim të qëndrueshëm të sipërmarrjes në Shqipëri, si dhe rolin e QKB-së në lehtësimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe mbështetjen e formalizimit të ekonomisë.

Top Channel