Trump: Irani anulon ekzekutimin e 8 grave, Teherani e mohon dhe flet për “lajme të rreme”

23/04/2026 09:29

Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se Irani nuk do të vazhdojë me ekzekutimin e tetë protestueseve femra, duke e cilësuar zhvillimin si një “lajm shumë të mirë”.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se katër prej grave do të lirohen menjëherë, ndërsa katër të tjera do të përballen me një dënim prej një muaji burg. Ai shtoi se vlerësonte faktin që autoritetet iraniane, sipas tij, kishin marrë parasysh kërkesën e tij për anulimin e ekzekutimit.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi Trump vendosi të zgjasë armëpushimin me Iranin, në pritje të përgjigjes së Teheranit ndaj një propozimi amerikan për t’i dhënë fund konfliktit që zgjat prej afro dy muajsh.

Megjithatë, autoritetet iraniane e kundërshtuan menjëherë këtë version. Gjyqësori iranian mohoi kategorikisht se gratë ishin në rrezik ekzekutimi, duke deklaruar se presidenti amerikan “është mashtruar sërish nga lajmet e rreme” dhe se disa prej tyre janë liruar, ndërsa të tjerat përballen me akuza që nuk parashikojnë dënim me vdekje.

Pavarësisht mohimeve zyrtare, organizatat e të drejtave të njeriut kanë raportuar se të paktën një nga gratë, Bita Hemmati, ishte dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protesta dhe përplasje me forcat e sigurisë gjatë trazirave të janarit 2026.

Sipas raportimeve, ajo dhe disa të tjerë u akuzuan për organizim protestash, hedhje objektesh ndaj forcave të rendit dhe dëmtim të pronës publike. Rasti i saj është dokumentuar nga organizata ndërkombëtare që monitorojnë situatën e të drejtave të njeriut në Iran.

Ndërkohë, sipas organizatave me seli në Norvegji, dy nga gratë, Golnaz Naragi dhe Venus Hosseininjad, janë liruar më herët me kusht, që në fund të muajit mars.

Rastet e tetë grave u bënë publike nga aktivistja iraniane Masih Alinejad, e cila publikoi emrat dhe fotot e tyre, duke ngritur shqetësime ndërkombëtare për fatin e tyre.

Situata mbetet e paqartë mes deklaratave kontradiktore, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë të jenë të larta.

Top Channel