Gega në garë për një tjetër çmim, kandidate për çmimin “Atletja e Muajit”

06/09/2022 15:41

Luiza Gega është një prej kandidateve për të fituar çmimin si Atletja më e Mirë e muajit gusht.

Atletja shqiptare shkroi historinë në Evropianin e Mynihut teksa fitoi medaljen e artë në garën e 3000 m me pengesa për femra, e para e artë e një kompeticioni madhor për atletikën shqiptare. Ky sukses i dha mundësinë asaj që të përzgjidhet si një prej të nominuarave për çmimin e Atletes së Muajit nga Federata Evropiane e Atletikës.

Luiza Gegën e pret një garë e fortë për fitoren e këtij çmimi pasi në të janë edhe holandezja Femke Bol, fituese e 3 medaljeve të arta në Evropianin e Atletikës në disiplinat 400 m, 400 m me pengesa dhe stafetën 4×400 m. Tjetër kandidate për t’u shpallur Atletja e Muajit është edhe sprinterja gjermane Gina Lückenkemper, fituese e 2 medaljeve të arta në 100 m dhe stafetën 4×100 m. Ndërsa e nominuara e fundit është atletja greke antigoni Ntrismpioti, kampione e Evropës në 20 dhe 35 km ecje sportive.

Top Channel