“Përbindëshi” Benzema “zgjohet” në fund, Reali me pikë të plota pas tri ndeshjesh

29/08/2022 08:34

Reali i Madridit arrin të sigurojë pikët maksimale edhe në transfertën e radhës me Espanyolin me rezultatin 1-3 dhe merr kreun e klasifikimit me pikë të plota falë golaverazhit më të mirë se Betisi.

Vinicius Junior dhe Karim Benzema e bënë të pavlefshëm golin e Joselu në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi brazilian zhbllokoi takimin që në minutën e 12-të pas asistit të marrë nga Tchouameni, por vendësit rikthyen baraspeshën në rezultat pa u mbyllur ende pjesa e parë.

Kur sfida po i drejtohej fundit, favoriti për të fituar “Topin e Artë”, Benzema “fluturoi” në shtyllën e dytë pas krosimit të Rodrygos duke shënuar golin e dytë të “Los Blancos”, por nuk i kishte mbyllur ende llogaritë me katalanët. Në minutë e 10-të shtesë mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje të lirë në pozicion ballor, duke mos i dhënë asnjë shans portierit vendës, 1-3./ Super Sport

Top Channel