Mori titullin “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, Florian Marku me histori rrëqethëse: I premtova nënës se do vinte kjo ditë…

27/08/2022 11:54

Kampioni shqiptar i boksit, Florian Marku është nderuar sot me tillun “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, dy ditë pasi u shpall kampion në boks për peshën “welterweight” në versionin WBC Silver duke mposhtur me pikë meksikanin Miguel Parra Ramirez.

Në fjalën e tij falenderuese, Floriani rrëfehu historinë e vështirë të jetës së tij, sesi arriti me shumë punë dhe mund të ishte kampion në boks.

Ai tregoi se së bashku me familjen emigroi në shtetin grek që kur ishte 7 vjeç, aty ku filluan edhe peripecitë, pasi familja e tij nuk kishte shumë të ardhura. Ndër të tjera, Floriani tregoi edhe sesi i kishte premtuar nënës së tij se ajo nuk do punonte më pasi ai të rritej, dhe kështu ndodhi.

Fjalimi i Florian Markut: Kjo për mua është ëndërr e bërë realitet. Gjithë Shqipëria të më shohë mua, nuk di çfarë të them. Kam lindur në Lushnjë, në moshën 7 vjeç kam emigruar me familjen në Selanik ku nisa futbollin. Ndërrova sportin iu futa boksit. Unë nuk vij nga një familje e pasur, nëna ime ka punuar edhe pastruese por i kam thënë disa fjalë. Sa të kalojnë disa vite ti nuk ke për të punuar më kurrë dhe shyqyr zotit ajo nuk ka më nevojë. Nuk është fat, këto të çarat në fytyrë janë të vogla. Se kam hedhur kurrë poshtë flamurin shqiptar. Kam pasur shumë opsione. Kisha një karrierë të suksesshme. Duart i kam operuar pesë herë. Boksin e kam pasur gjithmonë ëndërr. Në Greqi nuk kam pasur letra, dhe e vetmja mundësi ishte kickboksi ku nuk na kontrollonin shumë. Në Angli kam shkuar rastësisht. Një promotor më premtoi që do i kesh të gjitha gati, mora nusen dhe u nisëm në Angli, aty çdo gjë ishte mashtrim, nuk kisha asgjë gati. Asnjëri nuk kishte besim. Në ndeshjen e parë dola me sukses, shqiptarët nuk më kanë zhgënjyer kurrë e kanë mbushur gjithmonë sallën. Kështu mu hapën rrugët e suksesit me shumë punë. Dua t’i them rinisë se në çdo fushë duhet shumë punë dhe sakrifica. Mua më paragjykojnë thonë nuk e Meriton. Nuk e dini se çfarë kam kaluar për të mbërritur këtu ku jam. Dashuria e madhe për të arritur këtu ku jam më ka bërë që kurr mos të dorëzohem, këtë mesazh kam edhe për të rinjtë. Dita juaj do vijë! Jam shumë i lumtur që jam sot këtu.

Kryeministri Edi Rama tha se Marku është nderuar me medaljen ‘Ylli i Madh’, pasi është sot një ambasador i Shqipërisë në botë.

Ky është një vlerësim është bërë për shumë persona të rëndësishëm, ambasadorë me kontribut kur kanë mbaruar mandatin në vendin tonë. Florian Marku është ambasador i Shqipërisë që prejardhjen e ka në Kosovë dhe Myzeqe. Ai është shembull pozitiv në Britani ku imazhi i Shqipërisë u ndot së fundmi”, tha Rama.

Top Channel