Ish presidenti Ilir Meta tashmë kryetar i Partisë së Lirisë është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nën dyshimin për një lobim të padeklaruar me vlerë rreth 700.000 euro.
Kjo është mësuar nga një kërkesë drejtuar KQZ, me firmën e kreut të SPAK Arben Kraja.
“Për nevojat e këtij procedimi penal kërkojmë kopje të formularit të vetë-deklarimit në zbatim të ligjit nr 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen e emërohen ose ushtrojnë funksione publike” të dorëzuar nga ish Deputeti I Kuvendit të Republikës së Shqipërisë” Z. Ilir Metaj-Meta”, thuhet në kërkesë.
Më pas SPAK sqaroi se kjo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri.
Dy muaj më parë ish deputeti Halit Valteri dorëzoi në SPAK një kallëzim bashkëshoqëruar me disa dokumente duke ngritur pretendimin për një lobim në SHBA të padeklaruar nga zoti Meta.
Fillimisht ishte gazeta “Mother Jones” në 25 prill 2018 dhe gazeta “Kronen Zeitung” në 16 maj 2022 , të cilat raportuan se LSI kishte paguar një kompani “offshore” qipriote “Dorelita Limited”, e cila financonte një firmë tjetër në pronësi të ish-senatorit republikan amerikan Hoëard “Buck” McKeon dhe ish-kryetar i Dhomës së Komitetit Shërbimit të armatosur.
Ky i fundit do të përpiqej të ndikonte në Departamentin Amerikan të Shtetit në mënyrë që LSI të fitonte akses dhe mbështetje nga SHBA.
Gazeta austriake “Kronen Zeitung” raportoi se LSI ofroi për 700 mijë dollarë lobime po nga kompania e sipërpërmendur qipriote me qëllim që kjo e fundit të siguronte ftesë dhe foto të Metës për ceremoninë e inaugurimit të Donald Tramp si president i 45-të i SHBA në 20 janar 2017. Zoti Meta atë kohë ishte kryetar parlamenti.
Kryetari Partisë së Lirisë Ilir Meta reagoi duke deklaruar se “Meqenëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më! Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!”
Top Channel