Partizani mbetet pa trajner. Klubi i kuq ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Dritan Mehmetin, pas një takimi që ky i fundit ka pasur me drejtuesit e lartë.

Nuk jepen shumë detaje për arsyen e largimit të Mehmetit, por kuptohet që gjithçka vjen pas dështimit të të kuqve për të kaluar qoftë një raund në Conference League. “Vulën” largimit të Mehmetit ia vuri humbja e fundit 3-0 me Bylisin, që edhe pse thjesht në miqësore, ishte shumë domethënëse për klimën aspak premtuese në klubin e kuq. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e presidentit Demi më pak se dy javë nga starti i kampionatit.

Njoftimi i Partizanit:

“Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Dritan Mehmeti. Në prag të startit të kampionatit, drejtuesit dhe trajneri Mehmeti kanë zhvilluar një takim, në përfundim të të cilit palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre.
Partizani falënderon Dritan Mehmetin për punën dhe kontributin e dhënë përgjatë gjithë periudhës si pjesë e klubit dhe së fundmi në drejtimin e ekipit të parë, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.”/ Super Sport

Top Channel