Miqësorja e programuar për t’u luajtur këtë të diel në Tel Aviv mes Juventus dhe Atletiko Madrid është anuluar duke qenë se orët e fundit është përshkallëzuar beteja mes Izraelit dhe xhihadistëve në Rripin e Gazës.

Siç bën të ditur e përditëshmja spanjolle AS, te Atletico morën vendimin për të mos u nisur. Los Colchoneros do të grumbulloheshin në 11:30 dhe në 12:30 ishte parashikuar nisja e fluturimit, që është anuluar. Të dy klubet kanë nevojë për një test përpara se të nisin kampionatet respektive, ndërkohë që tashmë mbetet i mundshëm dhe zhvillimi i ndeshjes në një tjetër destinacion.

Këto ditë sulmet e avionëve izraelitë në Rripin e Gazës kanë shkaktuar vrasjen e të paktën 10 personave ndërkohë që janë mbi 55 të tjerë të plagosur, mes të cilëve edhe komandanti i sektorit verior të islamistëve, Tayasir Jabari. Si përgjigje nga Rripi i Gazës janë lëshuar 70-80 raketa drejt Izraelit por sipas njoftimeve nuk ka patur viktima.

Duke e ngritur në 100 numrin e raketave të lëshuara, lideri politik i organizatës islamike Ziad Nahaleh shtoi se “Tel Aviv dhe të gjitha qytetet e tjera izraelite janë nën shënjestër”, duke bërë që të ngrihet edhe alarmi për zhvillimin aty të ndeshjes së programuar për këtë të dielë./supersport

Top Channel