Fushata europiane e klubeve shqiptare ka qenë ndër më të dobëtat sa i përket paraqitjes sportive, ku në 12 ndeshjet që zhvilluan të katërta skuadrat Tirana, Partizani, Laci dhe Vllaznia kanë regjistruar vetëm 2 fitore, 7 humbje dhe 3 barazime.

Tirana është ekipi me bilancin më negativ në Kupat e Europës, 4 ndeshje 4 humbje, megjithatë është skaudra që ka përfituar më shumë financiarisht nisur edhe nga fakti që është kampionia e vendit. Aventura e saj europiane u mbyll mbrëmjen e së enjtes në raundin e dytë të Ligës së Konferencave, me një cek europian prej 810 mijë eurosh.

Vetëm prej titulli kampion bardheblutë përfituan nga UEFA 250 mijë euro, më pas pjesëmarrja në raundin e parë eliminator të Champions League i dha 100.000 euro, eliminimi prej aty i dha 100.000 euro të tjera si pjesmarrëse në raundin e dytë eliminator të Ligës së Konferencave. Humbja në të dyja ndeshjet ndaj Zrinjskit që e nxorri tërësisht jashtë kompeticioneve europianeTiranën por që  i jep mundësinë e përfitimit të bonusit të të eliminuarit prej 350.000 euro.

Skuadra e dytë për sa i përket përfitimeve nga Kupat e Europës është Laci. Pjesmarrë në dy raunde të Ligës së Konferencave, kurbinasit i mbyllën këto 4 ndeshje me një bilanc 1 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje që të përkthyera në shifra janë 550.000 euro të fituara.

Me 450 mijë euro të fituara e mbylli Vllaznia aventurën europiane. Si fituesit e Kupës së Republikës shkodranët morën pjesë në raundin e dytë eliminator të Ligës së Konferencave ku me 1 barazim dhe 1 humbje plus bonusin e të t eliminuarit siguruan një shumë që bazuar në shpenzimet e tyre sezonale janë thuajse 50% e tyre.

Ndërkaq në fund të bilanceve mbetet Partizani, skuadra e cila pati më tepër shpresë e shanse kualifikimi pas fitores në ndeshjen e parë në transfertë ndaj gjeorgjianëve të Saburtalos, humbën të dytën me penallti dhe u eliminuan që në ndeshjen e parë duke përfituar vetëm 250.000 euro

Një bilanc negativ që tregon edhe një herë nivelin e ekipeve tona përball atyre europiane të të njëjtit nivel në letër apo më sipër ku ne aspirojmë të shkojmë. 2 milion e 60 mijë euro përfituan 4 klubet shqiptare nga Kupat e Europës që për cdo klub konsiderohen një minier ari, por për ne vazhdojnë të mbeten thjesht një komardare shpëtimi për sezonin e ri që pritet të fillojë më 20 gusht.

Top Channel