Lamerica u bë realitet…, ndeshja e vetme në histori që Shqipëria e ka fituar pa zbritur në fushë

23/05/2022 23:06

Teksa shqiptarët mbi një kamion prehistorik udhëtonin drejt portit nga ku do të merrnin një anije të ndryshkur për të shkuar drejt Italisë, një italian nga Roma me kaçurrela dhe syze dielli përpiqej t’u shpjegonte se futbolli nuk ishte vetëm Inter, Milan e Juve.

Shqiptarët, që ia shikonin syzet a thua se ato ishin një diamant, bërtitnin duke iu betuar që një ditë do të luanin në “San Siro” e “Delle Alpi”. Italiani, që rastësisht kish mbetur në Tiranën e viti 1991 në vendin tonë, qante dhe mendonte: “varfëria nuk paska kufij”.

Sekuencat vijnë nga Lamerica, filmi i Michele Placidos, që kish zgjedhur eksodin tonë për të “cinizuar” italianët, që dikur shkonin në Shtetet e Bashkuara. Mjerimi nuk kish nevojë për film. Në atë vit, Feyenoordi zbarkoi pranë 15-katëshit dhe njësoj sikur të kishin zbuluar një planet të paushqyerish shpërndanë bukë dhe ëmbëlsira.

Pikërisht në të njëjtin vit, Roma fitoi finalen e dytë ndaj Interit në Kupën Uefa, por e humbi trofeun. Rizzitelli shënoi në stadiumin ëndërr të të gjithë shqiptarëve – në “Olimpico” – dhe që atë ditë paraardhësit e Tottit nuk e luajtën kurrë më një finale europiane.

Kohërat kanë ndryshuar. Shqiptarët udhëtojnë drejt Italisë jo më me kamionin muze e as me anijen që është shndërruar në “meme”, por me bileta avioni, të prera online, për të vizituar rrethinat e Koloseumit, jo më për të gjetur punë, por për të shkëmbyer fotot e rastit në Isntagram.

15-katëshi i Feyenoordit është shumë vogël në krahasim me kullat e reja, buka dhe ëmbëlsirat ofrohen kudo në restorantet tërë shije të kryeqytetit Tiranë. Stadiumi mitik, një e shkuar e kushedi kujt stili me emrin e guerilasit të Luftës së Dyte Botërore, është shndërruar në një mrekulli të kohëve moderne, aq sa e detyruan UEFA-n që për gjithë këto arsye të vendoste: “Po, kjo finale do luhet këtu. Në Tiranë, në Shqipëri”. Çfarë emri duhet t’i vëmë këtij filmi?!

Ironia e fatit: do të vijë Roma, që ka shumë vite që nuk luan në këtë nivel, dhe Feyenordi, që kur zbriti në Rinas tha: “a nuk kemi qenë më parë këtu”?

Gojëdhënat thonë që në vitet ’70, kur holandezët zbarkuan në aeroportin tonë hermetik, dikush u tha që duhet të prisnin flokët, ndërsa historia thotë që në vitin 1946 ne kemi organizuar Kupën Ballkanike, me punë vullnetare, kemi luajtur ndaj rivalëve si Jugosllavia e madje kemi fituar trofeun. Trofe, i cili – dhe kjo është zyrtare – ka humbur dhe nuk dihet ku është.

Një mesazh për të gjithë ata që mendojnë se diçka më e madhe ka ndodhur në këtë qytet që nga koha kur është bërë kryeqytet. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur më parë! Kjo është ndeshja e vetme në histori që Shqipëria e ka fituar pa zbritur në fushë! Lamerica u bë realitet…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA