Tirana synon rekordin. Bardheblutë e Orges Shehit janë një hap larg arritjes së kuotës më të mirë të pikëve në pesë vitet e fundit.
Kampionët e sapo kurorëzuar morën një fitore 3-1 ndaj Vllaznisë, që ngjiti bardheblutë në kuotën e 73 pikëve, duke i lënë të hapur mundësinë në javët e mbetura për të tentuar një arritje të veçantë, teksa ndeshjet ndaj Dinamos dhe Kukësit do të jenë po aq të rëndësishme, për t’u kthyer në kampionen më të mirë të sezoneve të fundit.
Por nga ana tjetër, triumfi në ‘Selman Stermasi’ në klasiken e Shqipërisë, konfirmoi profesionalizmin e skuadrës së Shehit, me mobilizimin që ka mbetur maksimal, pavarësisht se e kanë siguruar matematikisht titullin e 26-të në histori. Në pesë vitet e fundit, skuadrat e Superiores ia kanë dalë të shpallen kampione edhe me një kuotë jo shumë të larte pikësh. Kukësi u shpall kampion për të parën herë në histori në sezonin 2016-17 duke arkëtuar 75 pikë dhe duke thyer me sukses hegjemoninë e Skëndërbeut.
Në sezonin 2017-18, korçarët e rimorën shumë shpejt kurorën e artë të Superiores, me në krye Ilir Dajën që e kurorëzoi Skëndërbeun kampion me 72 pikë të grumbulluara. Në vitin 2018-19, kampionati foli i gjithi për Partizanin. ‘Demat e Kuq’ u rikthyen te titulli pas 26 vitesh pritje, një arritje që u bë e mundur falë një organike cilësore që drejtohej nga Skënder Gega. Të kuqtë përfunduan kampionatin me 70 pikë në total, 11 më shumë se ndjekësit e Kukësit. Edicioni 2019-20 u pronësua nga Tirana. Bardheblutë pas një ecurie fantastike në pjesën e dytë të sezonit me trajnerin Emanuel Egbo, u bënë nr.1 në Shqipëri me 70 pikë, ndërsa në vitin e shkuar Teuta u shpall kampione me 66 pikë, një kuotë e barabartë pikësh me Vllazninë, por për ‘Djemtë e Detit’ mjaftoi golavarazhi më i mirë për ta mbyllur në vend të parë.
Në sezonin aktual, Tirana ka dhe dy mundësi finale për t’u bërë kampionia më e mirë e pesë viteve të fundit, ndërsa një tjetër skenar interesant, në rast se bardheblute marrin dy fitore në ndeshjet e mbetura pasi do të barazonin rekordin e Skenderbeut me 79 pikë në 2015-16, që mbahet si kuota e dytë më e mirë e pikëve në kampionatin shqiptar, pasi rekordi i Tiranës së Sulejman Starovës mbetet ende një destinacion shumë i largët për t’u mbërritur, teksa kujtojmë që bardheblutë e sezonit 2004-05 koleksionuan 84 pikë./ Super Sport
Top Channel