“Dy muaj pa dritë dielli”, kalvari i të evakuuarve në Mariupol: Duhen dhe dy raunde! 

02/05/2022 11:08

Dhjetëra civilë janë evakuuar nga qyteti port i Mariupolit pas javësh të tëra rrethimi në fabrikën e çelikut, Azovstal e gëzimi i tyre ishte i papërshkrueshëm.

Një grua tha se nuk e kishte parë dritën e diellit për dy muaj. “Mendova se nuk do të mbijetoja”, u shpreh ajo. Rusia konfirmoi se një grup civilësh kanë mbërritur në një fshat të kontrolluar prej saj, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr  Zelensky pohoi se disa të tjerë janë rrugës drejt Zaporizhias.

“Grupi i parë prej rreth 100 personash është nisur drejt zonës së kontrolluar, dhe do t`i takojmë në Zaporizhia. Mirënjohës ekipit tonë! Tani, ata së bashku me OKB-në, po punojnë për evakuimin e civilëve të tjerë nga kompleksi.”– tha Zelensky.

Për të parën herë, kemi dy ditë armëpushimi të vërtetë, u shpreh Zelensky, dhe ky corridor jetik i gjelbër po funksionon. Sipas Denys Shleha të Gardës Kombëtare të Ukrainës, me qindra vetë vazhdojnë të mbeten nëpër bunkerë në stabilimentin e rrethuar të Azovstalit. Sipas tij, do të duhet edhe të paktën dy raunde të tjera evakuikimi për t`i nxjerrë të gjithë jashtë. Kjo zonë është përballur me një prej rrethimeve më shkatërruese që prej fillimi të pushtimit rus në Ukrainë.

Në Azovstal, sipas vendasve, ende ka mjaft civilë e trupa ukrainase, përfshirë luftëtare të bataljonit Azov. Kombet e Bashkuara besojnë se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në 24 shkurt.

Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA