Dy ngushticat strategjike të botës nën presion, Hormuzi dhe Bab el-Mandeb kërcënim i madh për tregtinë globale
Një rast i pazakontë është bërë objekt hetimi nga autoritetet spanjolle, pasi një grua transgjinore dyshohet se është varrosur me emrin dhe fotografitë që kishte përdorur para ndryshimit ligjor të identitetit.
Bëhet fjalë për Daniela MS, një grua transgjinore e lindur në Kili dhe e adoptuar nga një çift spanjoll që jetonte në provincën e Alicante-s. Daniela i dha fund jetës në moshën 21-vjeçare, në vitin 2022.
Një vit para vdekjes, në vitin 2021, ajo kishte përfunduar ndryshimin ligjor të identitetit. Megjithatë, pas vdekjes, ajo u varros në varrin familjar në qytetin e Aspe-s me emrin e saj të lindjes dhe me një fotografi nga periudha para ndryshimit.
Çështja nisi pas një ankese të paraqitur në prokurori nga shoqata Euforia Familias Trans Aliadas, e cila pretendon se prindërit adoptues e kanë përdorur në mënyrë të vetëdijshme dhe të qëllimshme emrin e lindjes së Danielës, i njohur si “nekronim”, si dhe fotografi që nuk përputheshin me identitetin e saj gjinor.
Sipas ankesës, prindërit dyshohet se e kanë identifikuar publikisht Danielën në gjininë mashkullore edhe pas vdekjes së saj, duke mohuar identitetin gjinor që ajo kishte njohur ligjërisht.
Prokuroria ka kërkuar që prindërit të dëgjohen në cilësinë e të dyshuarve dhe të dorëzojnë dokumentacionin që lidhet me ndryshimin ligjor të emrit dhe me varrimin.
Avokati i shoqatës Euforia, Saul Castro, e ka cilësuar rastin si veçanërisht të rëndësishëm.
“Ajo u varros me një emër dhe imazh që nuk i përkisnin më, me qëllim fshirjen e identitetit të saj”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “dinjiteti vazhdon pas vdekjes”.
Sipas avokatit, bëhet fjalë për një cenim të kujtesës së Danielës përmes veprimeve që, sipas tij, kanë pasur karakter poshtërues dhe diskreditues ndaj identitetit të saj gjinor.
Sipas ankesës dhe personave të afërt me Danielën, ajo kishte pasur një marrëdhënie të vështirë me familjen për vite me radhë për shkak të identitetit të saj gjinor.
Ajo dyshohet se kishte përjetuar diskriminim dhe kishte kaluar edhe më herët në situata të rënda psikologjike.
Në prill të vitit 2022, pas një tjetër krize, Daniela tentoi të kontaktonte prindërit e saj, me të cilët kishte planifikuar të takohej në Santander. Sipas miqve të saj, të cituar nga “El País”, prindërit nuk u paraqitën në takim. Të nesërmen, Daniela i dha fund jetës.
Prokuroria e Alicante-s ka identifikuar elemente që, sipas saj, mund të kërkojnë një hetim penal dhe ka vlerësuar se veprimet e dyshuara mund të kenë shkuar përtej një çështjeje thjesht private.
Autoritetet po hetojnë nëse veprimet e pretenduara të prindërve përbëjnë një krim urrejtjeje dhe nëse ka pasur një qëllim të qëllimshëm për poshtërimin e Danielës edhe pas vdekjes së saj.
Hetimi do të përcaktojë nëse këto pretendime mund të përbëjnë shkelje penale dhe nëse përgjegjësia mund t’u atribuohet prindërve të saj.
Top Channel