Dy persona, babë e bir janë arrestuar, nën akuzën se tregtonin lëndë narkotike në kryeqytet.
Policia njofton se në operacionin e koduar “Çokollata”, ka sekuestruar në shtëpinë e Sami Qordjës, 160 pako drogë, në formën e çokollatës, me peshë totale 48.5 kilogramë.
“Në vijim të kontrollit është gjetur dhe një armë gjahu pa leje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet në përdorim të këtij shtetasi dhe dy aparate celulare”, njofton policia.
43-vjeçari Sami Qordja dhe djali i tij, 19-vjeçari Kevin Qordja do të hetohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Në operacionin e dytë, të koduar “Tujani” janë arrestuar kushërinjtë e tyre. 31-vjeçari Ramazan Qordja ra në pranga pasi në shtëpi policia i gjeti 312 gramë lëndë të dyshuar narkotike të dyshuar heroinë, një armë gjahu, peshore elektronike dhe një aparat celular.
“Po nga hetimet ka rezultuar se shtetasi R. Q. merrej me shitjen e lëndës narkotike heroinë, në doza, të cilat i shiste në zonën e Tufinës, në Babrru dhe në rrugën “Myslym Keta”. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi siguronte lëndë narkotike heroinë, në sasi 1-2 kg, e ndante në doza dhe më pas e shiste”, njofton policia.
Top Channel