Dita 26 e luftës/ Ukraina nuk pranon dorëzimin e Mariupolit! Odesa, objektivi tjetër ‘logjik’ për Rusinë. Sulmohen autobusët, lëndohen fëmijët

21/03/2022 22:20

Dita e 26 e luftës në Ukrainë.

Ukraina ka refuzuar një ultimatum rus  që të dorëzohet qyteti i Mariupolit, ku rreth 300,000 njerëz besohet të jenë të bllokuar, duke siguruar kalim të sigurt nga porti nëse kjo ndodh. Kryetari i bashkisë së Mariupolit tha më herët për BBC se premtimet humanitare të Moskës nuk mund të besohen, duke u zotuar se forcat ukrainase do të luftojnë. Situata në qytet, i cili është i rrethuar nga trupat ruse dhe i shkatërruar nga bombardimet, është si “ferri në tokë”, pasi furnizimet ushqimore dhe mjekësore po mbarojnë.

Sulmet në qytete të tjera të Ukrainës vijojnë, disa shpërthime të forta u raportuan nga Kievi, ku autoritetet thanë se shtëpitë dhe një qendër tregtare u goditën, duke shkaktuar katër viktima.

Ministria e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar tha se forcat ruse që përparojnë në kryeqytet nga verilindja kanë ngecur, ndërsa ndodhen 24 km nga qendra e qytetit. Ndërkohë, ka pasur një rrjedhje amoniaku në një fabrikë kimike në qytetin verilindor Sumy, i cili gjithashtu është i rrethuar nga forcat ruse. Zyrtarët u thanë banorëve të qytetit që të largohen në një rreze prej tre miljesh, sepse gazi është i rrezikshëm.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi Izraelin për hezitimin e tij për të dërguar teknologjinë e mbrojtjes raketore në Ukrainë Në një fjalim në parlamentin izraelit, ai tha: Të gjithë e dinë se sistemet tuaja të mbrojtjes nga raketat janë më të mirat… ju patjetër që mund t’i ndihmoni njerëzit tanë.

22:02 Rusia pranon 10 mijë vdekje? Media e Kremlinit: Na hakuan faqen

Media ruse, pro-Kremlinit Komsomolskaya Pravda (KP) botoi një artikull duke cituar ministrinë të thoshte se 9,861 ushtarakë rusë kishin vdekur, një shifër që tejkalon edhe vlerësimet e inteligjencës amerikane për viktimat ruse. Ndërsa për numrin e të plagosurve thuhej se ishin 16.153 ushtarë. Por vetëm pas disa minutash ky lajm u zhduk nga faqja online, por gjithësesi nuk i shpëtoi mediave ndërkombëtare. Redaktori i KP, Vladimir Sungorkin, i pyetur nga BBC për lajmin, tha se informacioni i publikuar ishte pasojë e një sulmi kibernetik.

21:56 Forcat ruse sulmuan vendet e strehimit, 2 fëmijë në gjendje të rëndë

Dy fëmijë janë në një gjendje kritike pasi makinat që transportonin familje u sulmuan në rrugën midis Mariupol dhe Zaporizhzhia, tha një zyrtar rajonal në Ukrainën lindore. Oleksander Starukh tha se ka bombardime të rënda rreth vijës së frontit që ndan forcat ruse dhe ukrainase të hënën, në një deklaratë në rrjetet sociale. Tre fëmijë nga Mariupoli që kishin shpëtuar nga qyteti i rrethuar me familjen e tyre u sulmuan teksa po udhëtonin nëpër rrethin Polohivsky, tha Starukh, duke lënë një fëmijë në një gjendje kritike.

21:42 Fotografi i dasmave kap ‘realitetin e tmerrshëm’ të Mariupolit

Pavel Gomzyakov zakonisht fotografonte ditët më të lumtura të jetës së njerëzve. Ai është një fotograf dasmash i vlerësuar me çmime nga Mariupol, në Ukrainën jugore. Por, kohët e fundit, ai ka dokumentuar jetën në qytet pasi është nën sulm të rëndë rus. “Para fillimit të luftës, Mariupol ishte një qytet paqësor ukrainas, një qytet në të cilin 95% e njerëzve flisnin rusisht, si unë. Vajza ime studionte në një shkollë ruse”, tha ai për BBC.

21:33 Jahti i miliarderit rus ndalohet nga autoritetet në Gjibraltar

Një super-jaht i pronarit të prodhuesit më të madh të tubave të çelikut në Rusi është ndaluar nga autoritetet në Gjibraltar. Pamjet e kapura nga Reuters treguan jahtin “Axioma”, e cila është në pronësi të Dmitrievich Pumpyansky. Pronari i kompanisë së çelikut TMK aktualisht po përballet me sanksione britanike dhe të Bashkimit Evropian, të cilat u vendosën ndaj oligarkëve rusë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

21:16 Biden dhe udhëheqësit evropianë diskutojnë për mbështetjen e Ukrainës

Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një telefonatë me liderët evropianë për të diskutuar mbi luftën e vazhdueshme në Ukrainë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson telefonoi kryeministrin italian Mario Draghin, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit diskutuan shqetësimet e tyre në lidhje me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë sulmet e saj ndaj civilëve.

20:31 Zelensky: Ukraina nuk do të përkulet para ultimatumeve ruse!

“Ukraina nuk do t’i përkulet kurrë ultimatumeve nga Rusia dhe qytetet Kievi, Mariupoli apo Kharkiv nuk do të pranojnë pushtimin rus”, tha presidenti Voldymyr Zelensky për mediat ukrainase. Zelensky është shprehur optimist se presidenti Vladimir Putin, nuk do mund të marrë dot në dorë Ukrainën. Ai tha se Ukraina nuk mund të përmbushë ulimatumin e Rusisë. “Ndiq ultimatumin nëse do të përfundojë lufta. Ukraina nuk mund ta përmbushë ultimatumin,” tha Zelensky në një intervistë të publikuar nga transmetuesi ukrainas Suspilne.

20:24 Forcat ruse bombardojnë autobusët, 4 fëmijë të plagosur

Katër fëmijë kanë mbetur të plagosur këtë të hënë, pasi forcat ruse kanë sulmuar autobusët ku ishin strehuar njerëzit. “Autobusët që evakuojnë civilët nga zonat e vijës së parë janë goditur nga granatimet”, tha guvernatori i rajonit të Zaporizhzhia të Ukrainës. Starukh tha se të katërt fëmijë janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

18:02 Ukraina akuzon Rusinë për terrorizëm shtetëror

Rusia po kryen terrorizëm shtetëror në Ukrainë dhe do të vazhdojë të sulmojë vende të tjera, tha ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov. Gjatë një vizite në Londër me Sekretarin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace,  Reznikov tha se 150 fëmijë ukrainas ishin vrarë që nga pushtimi i Rusisë. Ai tha se më shumë se 400 shkolla dhe kopshte dhe më shumë se 110 spitale ishin shkatërruar.

17:07 NATO: Ukraina ka vendosur të mos dorëzohet, Rusia po dobësohet!

Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s tha këtë të hënë se shenjat po tregojnë për një ngërç nga ana e Rusisë, pasi forcat tokësore po mbeten të bllokuara. Ai tha se  avionët luftarakë rusë janë të paaftë për të arritur epërsinë ajrore mbi Ukrainën, ndërsa kjo e fundit po tregon rezistencë. “Rusia nuk po përparon, është diçka shumë e mirë nëse marrim parasysh pabarazinë në forcë kur filloi kjo luftë”, u tha zyrtari gazetarëve gjatë një konference në selinë e NATO-s.

16:26 Marrëdhëniet Rusi-SHBA ‘në prag të kolapsit’, shkak deklarata e Biden

Ambasadori amerikan u thirr sot nga Ministria e Jashtme e Rusisë, ku i tha se lidhjet mes SHBA-së dhe Rusisë janë në prag të ndërprerjes. Sipas një deklarate nga ministria, shkak janë komentet e papranueshme nga presidenti amerikan Joe Biden për Vladimir Putinin e Rusisë. “Deklarata të tilla të bëra nga një president amerikan, të cilat nuk janë të denja për një burrë shteti, kanë vendosur raportet ruso-amerikane në prag të prishjes”, thuhet në deklaratë.

15:45 Gjykata e Moskës shpalli Metën “organizatë ekstremiste”

Gjykata e Moskës shpalli Metën “organizatë ekstremiste” dhe për këtë arsye ndaloi shërbimet e saj. Shërbimet sekrete ruse (FSB) i kishin kërkuar autoritetit gjyqësor që të vendoste një ndalim “të menjëhershëm” të rrjeteve sociale amerikane Facebook dhe Instagram në Rusi. “Aktivitetet e Metës janë kundër Rusisë dhe forcave të saj të armatosura. Prandaj kërkojmë që Meta të ndalohet në Rusi dhe ky ndalim të fillojë zbatimin menjëherë”, tha Igor Kovalevski në seancën e parë të gjykimit, zëdhënës i FSB-së. Ndalimi u kërkua edhe nga prokurori i Moskës.

15:14 Lot mes rrënojave! Ukraina nuk gjen qetësi (Foto)

Ukraina ndodhet prej 26-të ditësh në luftë që ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në vend. Përpara luftës, qytet ku të gjithë kishin një rutinë dhe lëviznin lirshëm. Të rriturit shkonin në punë ndërsa fëmijët në shkollë. Tashmë ata nuk kanë më asgjë përveç rrobave të trupit dhe dëshirës për të përfunduar lufta. Shumë vende të cilat janë prekur nga sulmet ruse kanë mbetur pas energji elektrike dhe ujë.

14:49 Bisedimet mes delegacionit rus dhe ukrainas zgjatën 90 minuta, tani po diskutojnë grupet e punës

Bisedimet diplomatike ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase kanë zgjatur një orë e gjysmë dhe tani po vazhdojnë në formatin e grupeve të punës. “Takimi ka zgjatur nga ora 10.30 deri në orën 12:00 me delegacionet zyrtare, më pas kanë ardhur sërish grupet e punës. Sot punojmë gjithë ditën”, tha anëtari i delegacionit ukrainas David Arakhamia, cituar nga agjencia e lajmeve UNIAN.

14:30 “Panik sheqeri” mungesa në produktet e shportës edhe në Rusi

Edhe Rusia është prekur nga racionimi i disa prej produkteve të të shportës.  Në Rajonin Detar të Lindjes së Largët, supermarketet kanë vendosur kufizime prej dy kilogramë për klient për sheqerin, miellin, orizin, hikërrorin, kripën dhe makaronat; dy litra vaj vegjetal dhe tre kavanoza me ushqim për fëmijë.  Racionimi u raportua nga e përditshmja ruse e biznesit Kommersant. Në Khabarovsk, një qytet në atë rajon, ka pasur panik për blerjen e sheqerit dhe është zhdukur nga raftet e shumë supermarketeve, raporton një agjenci lokale e lajmeve.

14:14 Momenti kur ukrainasit zmbrapsin kamionin rus me shkronjën ”Z”

Civilët ukrainas në qytetin jugor të Khersonit kanë arritur të zmbrapsin një kamion ushtarak rus të largohet nga protesta e tyre këtë të dielë. Në automjet ushte shënuar shkronja “Z”, e cila është kthyer në simbolin e pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

14:00 Momenti kur ukrainasit zmbrapsin kamionin rus me shkronjën ”Z”

Civilët ukrainas në qytetin jugor të Khersonit kanë arritur të zmbrapsin një kamion ushtrak rus të largohet nga protesta e tyre këtë të dielë. Në automjet ushte shënuar shkronja “Z”, e cila është kthyer në simbolin e pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

13:30 “Nuk duhej të varrosja fëmijët e mi”, babai i pikëlluar, bombardimet ruse i vranë vajzën dhe mbesën

Sulmet ruse kanë shkatërruar familje duke sjellë lëndime të pashërueshme në mendjet e ukrainasve. Në Spitalin e Fëmijëve në Zaporizhzhia një baba i pikëlluar tha se familja e tij ishte copëtuar plotësisht. Vajza e tij Natasha, e cila ishte 26 vjeç, dhe mbesa e tij 4-vjeçare Dominika, u vranë kur një predhë ruse ra pranë strehës ku po qëndronte familja.

13:17 Turqia optimiste: Po i afrohemi marrëveshjes/ Zelenksy frenon: Do “plasë” Lufta e Tretë

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu foli me tone optimizmi për të përditshmen Hurriet, të cilës i tha se Rusia dhe Ukraina janë shumë pranë marrëveshjes, dhe nga 6 pikat në diskutim sipas tij, ka pajtim mbi katër prej tyre.

12:39 Fëmijët mbajnë peshën më të madhe të luftës së Putin (Fotot)

Në shtratin e tij të spitalit, Artemi i vogël shtrëngon një traktor të vogël lodër të verdhë, por nuk thotë asgjë, ndërsa infermierët monitorojnë gjendjen e tij.  Predha ruse që shpërtheu në bark të tij plagosi rëndë edhe prindërit dhe gjyshërit e tij ndërsa ata u përpoqën të largoheshin nga Mariupoli. Një viktimë e luftës së Putinit dhe ai nuk ka mbushur ende tre vjeç.

12:00 Dashuria triumfon! Çifti martohen mes bombardimeve ruse

Çifti Andrew dhe Irina kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë, ndërsa bombardimet ruse vijojnë në Ukrainë. Andrew është një ushtar, Irina është një ish-sipërmarrëse private, vullnetare,ndërsa tani mbrojnë Kievin në një nga njësitë.

11:00 Shpallet shtetrrethimi i ri në Kiev

Një shtetrrethimi i ri është shpallur në kryeqytetin ukrainas Kievin. Ora policore do të jetë në fuqi nga ora 20:00 (18:00 GMT) sot deri në orën 07:00 (05:00 GMT) të mërkurën, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko. “U kërkoj të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi ose në strehimore kur bie alarmi”, tha ai.

10:00 Odesa, objektivi tjetër ‘logjik’ për Rusinë

Gjenerali Sir Richard Barrons tha për programin Today të BBC Radio 4 tha se qyteti port ukrainas i Odesës është objektivi i radhës i Rusisë në jug.  Marrja e Odesës do të izolonte ekonominë e Ukrainës nga rrugët tregtare nëpërmjet Detit të Zi. Rusët do të mbajnë nën presion Kievin ndërkohë, shton ai, sepse ajo është qendra politike e Ukrainës. Ai shtoi se rusët e dinë se Odesa është një qytet i madh dhe i mbrojtur mirë.

8:50 Forcat e Armatosura të Ukrainës: Shtatë objektiva ruse u goditën

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se shtatë objektiva ajrore ruse u goditën gjatë të dielës. Objektivat ishin një avion, katër mjete ajrore pa pilot (UAV) dhe dy raketa lundrimi. Ai thotë se ka pasur një rënie në intensitetin e përdorimit të avionëve të drejtuar nga Rusia. Në rajonet Donetsk dhe Luhansk thuhet se po kryhen masa mobilizimi të detyruar nga forcat ruse.

8:25 Zelensky: Jeruzalemi vendi i duhur për bisedime

Izraeli po bën përpjekje për të ndërmjetësuar midis Ukrainës dhe Rusisë dhe potencialisht mund të jetë një vend për bisedimet e ardhshme të nivelit të lartë të paqes, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

8:20 Bombardimet në Kiev rritet bilanci i viktimave

Katër persona kanë vdekur pas bombardimeve të disa banesave dhe një qendre tregtare në Kiev. Në një postim, kryebashkiaku i kryeqytetit Vitali Klitschko tha se ekipet e shpëtimit janë ende duke shuar zjarrin e madh në vendin e sulmit. Pamjet e publikuara nga shërbimet e urgjencës tregojnë një operacion shpëtimi në një qendër tregtare në Kiev.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel