“Nuk duhej të varrosja fëmijët e mi”, babai i pikëlluar, bombardimet ruse i vranë vajzën dhe mbesën

21/03/2022 13:19
Familja para pushtimit rus

Sulmet ruse kanë shkatërruar familje duke sjellë lëndime të pashërueshme në mendjet e ukrainasve.

Në Spitalin e Fëmijëve në Zaporizhzhia një baba i pikëlluar tha se familja e tij ishte copëtuar plotësisht.

Vajza e tij Natasha, e cila ishte 26 vjeç, dhe mbesa e tij 4-vjeçare Dominika, u vranë kur një predhë ruse ra pranë strehës ku po qëndronte familja.

 “Kam parë në tokë mbesën time të vogël me kokën e copëtuar tërësisht”, thotë Vladimir. “Ajo ishte shtrirë aty pa asnjë frymë dhe pranë saj ishte vajza ime e shkatërruar.

Dominica, fotot e së cilës gjyshi pothuajse i përkëdhel në telefonin e tij  u vra, kurse nëna e saj vdiq nga plagët të nesërmen.

Sado i thyer, Vladimir po përpiqet të qëndrojë i fortë për vajzën e tij të dytë, Dianën. Ajo gjithashtu u plagos rëndë nga shpërthimi.

Por dhimbjen nuk e fshihte dot. “Zot, pse duhet  t’i sillje të gjitha këto mbi mua? Unë nuk duhej të varrosja fëmijët e mi, vajzat e mia të bukura, nuk arrita t’ju mbroja.”

Top Channel