15 shtetas që morën pjesë në protestën e një ditë më parë për rritjen e çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës janë arrestuar dhe 5 të tjerë janë vënë nën hetim.

Sipas policisë, të ndaluarit bënë thirrje për grumbullime, bllokuan rrugët dhe kundërshtuan punonjësit e policisë gjatë protestës.

Të arrestuar janë Emiljano Çervenaku, Amarildo Zaimi, Vilian  Pjetri, Ernest Kapo, Gjovan Pjetri, Saimir Rrahmani, Pellumb Sina, Eldo Nezha, Elvis Leka, Mirton Dedndreaj, Artemis Marku, Armir Nelaj, Endri  Ahmeti, Sheme Hamitaj, Xhonis Lamaj dhe Bislim Lakna.

Ata do të hetohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim.

Çmimet e karburanteve vazhdojnë të thyejnë rekorde në vend. Këtë të enjte kanë arritur në 265 lekë/litri. Produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.

Një ditë më parë, qytetarët disa qytete u ngritën në protesta. Në kryeqytet ishte pjesëmarrja më e madhe. Nën moton as të majtë, as të djathtë, por popull, qytetarët kërkojnë nga qeveria uljen e taksave, subvencione dhe ngrirjen e çmimeve për produktet e shportës. Pasi protestuan para kryeministrisë, një pjesë e protestuesve bllokuan për disa minuta kryqëzimin te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Në Durrës, njerëzit kanë reaguar gjithashtu. Ata madje bllokuan edhe rrugët kryesore të qytetit me makina në shenjë proteste.

Edhe në Shkodër kamionistët janë ngritur në protestë duke bllokuar për disa orë Urën e Baçallëkut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA