Kjo e mërkurë ka shënuar ditën e 14-të të luftës në Ukrainë. SHBA është shprehur e shqetësuar nga vendimi i Polonisë për të dorëzuar avionët e saj Mig-29-ët e tyre në bazën amerikane në Gjermani.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një deklaratë për mediat është shprehur se dërgimi i avionëve që nisen nga një bazë e SHBA dhe NATO-s në Gjermani drejt një vendi që është në luftë është shqetësuese për aleancën. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov të enjten do të takohet me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba në Turqi.
22:22 Delegacioni i Rusisë nuk do të lëshojë pe në bisedimet me Ukrainën
Delegacioni rus në bisedimet e paqes me Ukrainën “nuk do të lëshojë asnjë pikë të vetme negocimi”, raportoi sot një agjenci e lajmeve RIA. Të dyja palët kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh që nga fillimi i pushtimit rus.
22:20 “Rusia, bomba me vakum në Ukrainë”/ Britania: Zhdukin çdo gjë në rrugën e tyre
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, zyrtarët ukrainas dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë ngritur alarmin mbi përdorimin e mundshëm të armëve termobarike ose “bombave me vakum”. Nga ana tjetër SHBA thotë se ka parë indikacione se Rusia po hedh bomba pa një objektiv të saktë në Ukrainë.
21:43 OKB reagon pas bombardimit të maternitetit në Ukrainë: Të ndalet menjëherë sulmi ndaj spitaleve!
Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë bërën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj kujdesit shëndetësor, spitaleve, punonjësve të kujdesit shëndetësor, dhe ambulancave.
20:52 Britania e Madhe planifikon të furnizojë Ukrainën me raketa anti-ajrore
Lajmin e dha Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace në Dhomën e Komunave këtë të mërkurë, i cili tha se rusër po ndryshojnë taktikë. “Rusët po ndryshojnë taktikat e tyre, kështu që edhe ukrainasit duhet ta bëjnë këtë, prandaj është jetike që Ukraina të ruajë aftësinë e saj për të fluturuar dhe për të shtypur sulmin ajror rus”.,” tha ai.
18:02 BE shtrëngon dorën mbi Rusinë, sanksione të reja: “Mbyten” oligarkët
Bashkimi Europian po përgatit një raund të tretë mbytës sanksionesh ndaj Rusisë, duke shënjestruar një numër më të madh të oligarkëve dhe zyrtarëve të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të sulmit ndaj Ukrainës. Presidenca franceze e Këshillit Evropian, sqaroi se objektivi i masave të reja shpaguese të bllokut, janë liderë rusë, oligarkë dhe familjet e tyre, duke përmendur sidomos ata në agresionin kundër vendit fqinj.
17:54 Kremlini: SHBA, luftë ekonomike Rusisë! BE- shkëputja nga gazi rus, para 2030-tës
Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur luftë ekonomike Rusisë dhe Moska do të mendojë seriozisht si të veprojë, ky ishte reagimi i Kremlinit pas vendimit të presidentit amerikan, Joe Biden për të vendosur embargo mbi naftën ruse dhe importe tjera të energjisë.
17:00 Bombardohet materniteti në Mariupol/ Reagon Zelensky: Kjo është mizori
Në ditën e 14 të pushtimit rus, bombardimet kanë shkatërruar edhe godinën e një materniteti në qytetin e Mariupol, ndërsa ende nuk është e qartë se sa viktima dhe të plagosur ka. Presidenti Zelensky, postoi një video në tëitter nga sulmi të cilin e ka quajtur mizor, duke bërë thirrje që të mbyllet hapësira ajrore menjëherë. “Kjo është mizori. Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtor që injoron terrorin? Mbylle qiellin tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por ju duket se po humbni njerëzimin”. Edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe t’u vijë në ndihmë rreth 400,000 njerëzve aktualisht të rrethuar nga forcat ruse në juglindje të Mariupolit, i cili tashmë është në limit të rezervave të ujit dhe ushqimeve. Dymtro Kuleba akuzoi Rusinë se mban peng qytetarët dhe i bëri thirrje Perëndimit të detyrojë “Rusinë të ndalojë luftën e saj barbare ndaj civilëve dhe foshnjave.
16:57 Kryeministri holandez: E pamundur që BE të shkëputet plotësisht nga nafta ruse
Kryeministri holandez Mark Rutte këtë të mërkurë është shprehur se Bashkimi Evropian e ka të pamundur të shkëpusë plotësisht furnizimin me naftë dhe gaz nga Rusia. “Ne duhet të diskutojmë dobësitë që kemi në lidhje me varësinë tonë nga nafta dhe gazi rus. Unë do të sugjeroja që mos të ndërpritet plotësisht furnizimi me naftë dhe gaz nga Rusia”, deklaroi Rutte këtë të mërkurë gjatë një konference të përbashkët për median me homologun e tij francez në Paris.
16:36 Erdogan: Turqia kundërshton “gjuetinë e shtrigave” kundër Rusisë dhe kulturës ruse
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoğan sot kundërshtoi fuqishëm çdo lëvizje që i ngjan “gjuetisë së shtrigave” kundër popullit, artit, studiuesve ose artistëve rusë, raporton agjencia shtetërore turke Anadolu. Ai shtoi se kundër Rusisë po përdoren “taktika fashiste diskriminimi, që mund të lënë në hije dhe vetë luftën legjitime të Ukrainës”.
16:20 BE shton sanksionet ndaj Rusisë, fut 160 oligarkë rusë në listën e “zezë”
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka bërë me dije se Bashkimi Europian ka shtuar sanksionet ndaj Rusisë, si ndëshkim për luftën ndaj Ukrainës. Përmes një postimi në “Twitter”, Borrell shkruan se janë futur në listën e zezë 160 oligarkë rusë, anëtarë të Këshillit të Federatës ruse. Sanksione do të ketë në sektorin bankar si dhe do të goditet sektori bankar.
15:42 Franca strehon 10 mijë refugjatë ukrainas
Franca do marrë përsipër strehimin e 10 mijë refugjatëve ukrainas. Lajmi u dha nga zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal, i cili tha se këshilli kombëtar francez i mbrojtjes ka aktivizuar një njësi ndërministrore për të përgatitur dhe koordinuar ardhjen e refugjatëve ukrainas në Francë. Ministrja franceze Marlene Schiappa tha se 5000 ukrainas kanë mbërritur tashmë në Francë. Ajo tregoi se është krijuar një faqe interneti për francezët ku mund të shkruajnë nëse dëshirojnë të dalin vullnetarë për të pritur familjet ukrainase që ikin nga lufta.
15:25 Ushtarët e armatosur rusë dëbohen nga disa të moshuar
Në disa momente dramatike të regjistruara nga kamerat e sigurisë shihet një çift ukrainas i moshës së mesme që me guxim dëbojnë katër ushtarë të armatosur rusë që hynë në oborrin e shtëpisë së tyre gjatë patrullimit. Pamjet raportohet se vijnë nga fshati Voznesensk, në Mykolaiv Oblast të Ukrainës, ku ushtarët shihet sesi dëbohen nga të zotët e paarmatosur të shtëpisë.
14:57 Ukraina bën thirrje për armëpushim për të riparuar Çernobilin
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka bërë thirrje sot për një armëpushim për të lejuar kryerjen e riparimeve për të rivendosur furnizimin me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Çernobilit. Kuleba tha se gjeneratorët rezervë me naftë mund të fuqizojnë centralin vetëm për 48-orët e ardhshme dhe më pas sistemet e ftohjes së objektit të magazinimit të karburantit bërthamor të harxhuar do të ndalojnë. Më tej, Kuleba ka shtuar se pasojë e kësaj situate do të jetë rrjedhje e rrezatimit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Zelensky duhet të njohë Krimenë dhe rajonet e kontrolluara nga separatistët si ruse. “Pozicioni ynë është i njohur. Krimea është një rajon rus dhe kjo duhet të njihet si de fakto ashtu edhe de jure”, u tha sot Peskov gazetarëve. Po ashtu, edhe për republikat e DPR dhe LPR, Pestov theksoi se janë shtete sovrane të pavarura dhe janë të njohura nga Federata Ruse. Reagimi i Pestov vjen një ditë pasi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë se është gati të shqyrtojë diskutimin e statusit të Krimesë dhe Republikave Popullore të Donetsk dhe Luhansk me presidentin rus Vladimir Putin.
13:21 Ukraina, 6 korridore humanitare për civilët: Sukses evakuimet e para
Ukraina do të përpiqet të evakuojë civilët përmes gjashtë “korridoreve humanitare” gjatë ditës së sotme, përfshirë Mariupolin e rrethuar nga forcat ruse. Zëvendës-kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk pohoi se forcat e armatosura të vendit kanë pranuar të reshtin luftimet në zonat në fjalë për 12 orë, nga ora 09:00 deri më 21:00, dhe u ka bërë thirrje forcave ruse që të përmbushin zotimin e tyre për armëpushime lokale.
12:56 CIA zbardh planin rus: Putini do e merrte Kievin për dy ditë
Plani i presidentit rus, Vladimir Putin ishte marrja e kryeqytetit të Ukrainës Kiev brenda vetëm dy ditësh. Tani që gjërat nuk shkuan aspak siç i mendonte ai, duhet të jetë shumë i zemëruar tha shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës , William Burns, në një seancë para Kongresit amerikan. Në këto kushte, shefi i Kremlinit mund të shtojë përpjekjet për të gjunjëzuar ushtrinë ukrainase, pavarësisht sesa viktima bëhen mes civilëve.
12:47 Nafta, krerët e Arabisë dhe Emirateve refuzojnë Biden, SHBA “flirton” me Venezuelën
Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë të gjitha importet e naftës dhe energjisë nga Rusia, duke e cilësuar një hap të tillë “një goditje tjetër të fuqishme ndaj makinës së luftës së Putinit”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e pranoi se një bllokadë e tillë do të ketë pasoja dhe për konsumatorët amerikane, sepse do të rrisë çmimin e karburantit në SHBA, por shtoi kjo lëvizje gëzon mbështetje dypartiake në Kongres dhe nënvizoi se Amerika “nuk do të jenë pjesë e subvencionimit të Putinit”.
12:36 Polonia vendos të gjithë Mig-29 në dispozicion të SHBA-së: Do hyjë Amerika në Ukrainë?
Polonia i ka shprehur Shteteve të Bashkuara gatishmërinë e saj për të dislokuar të gjithë avionët luftarakë MIG-29 që në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, si dhe për t`i vendosur ato në dispozicion të Amerikës. Ministria e Jashtme polake i bëri thirrje edhe vendeve të tjera të NATO-s të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Lëvizja e Varshavës erdhi një ditë pasi vetë ligjvënësit amerikanë i kërkuan administratës Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë dhe të vendeve të tjera të NATO-s dhe të Europës Lindore.
12:13 Eksportet e mallrave/ Ukraina ndalon eksportin e grurit, sheqerit dhe mishit
Qeveria ukrainase do të ndalojë eksportet e mallrave kryesore bujqësore, duke përfshirë grurin, misrin, drithërat, kripën dhe mishin. Sipas një rezolute të kabinetit që kaloi të martë, deri më tani është ndaluar eksporti i tërshërës, melit, sheqerit, kripës, grurit, mishit, si dhe bagëtia dhe nënproduktet e tij nga Ukraina. Ministri i Politikës Agrare dhe Ushqimit të Ukrainës, Roman Leshchenko tha se kjo është bërë për të parandaluar një krizë humanitare në Ukrainë dhe për të përmbushur nevojat e popullatës për produkte ushqimore kritike.
10:52 Ukraina pranon një armëpushim 12-orësh me Rusinë
Zëvendës-kryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk tha se sot është rënë dakort për një armëpushim 12-orësh me Rusinë për të lejuar civilët të evakuohen përmes korridoreve humanitare. Armëpushimi do të nisë nga ora 9 e mëngjesit deri në 21:00 sipas kohës lokale. Vereshchuk ka bërë me dije se kryeministri Denys Shmygal ka pranuar rrugët e propozuara nga Rusia për koridore humanitare dhe se për këtë do të bisedojë edhe me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
10:26 SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë aeroplanët MiG-29 për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.
10:00 BE do t’u japë fund gradualisht importeve ruse të energjisë
BE-ja do të çlirohet prej varësisë së importeve ruse të energjisë. Komisioni po i përshpejton planet për më shumë energji të rigjenerueshme dhe vende të tjera furnizuese. Vendet anëtare paralajmërojnë nga një embargo.
09:26 Britania: Mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur sukses kundër Rusisë
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha sot se mbrojtja ajrore e Ukrainës kishte rezultuar e suksesshme kundër avionëve luftarakë modernë të Rusisë. Në përditësimin e fundit të inteligjencës mbi pushtimin rus, ministria tha se Ukraina ka penguar Rusinë në arritjen es ynuar të kontrollit të ajrit. “Lufta në veri-perëndim të Kievit mbetet e vazhdueshme me forcat ruse që nuk arrijnë të bëjnë ndonjë përparim të rëndësishëm”, shkruhet në deklaratë.
08:47 Rusia premton sot korridore të reja humanitare në Ukrainë
Rusia njofton se do të sigurojë korridore humanitare edhe sot për ukrainasit që ikin nga Kievi, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol. Po ashtu bëhet me dije se nga ora 7 e mëngjesit forcat do të “vëzhgojnë një regjim heshtjeje”.
08:43 Hapet korridori i evakuimit në qytetin Sumy
Një korridor evakuimi nga qyteti i Sumy, në verilindje të Ukrainës do të qëndrojë në funksion të mërkurën, tha guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytskyy në një postim në mediat sociale. Njerëzit do të mund të udhëtojnë me automjetet e tyre personale, shtoi ai. Gjithashtu, 22 autobusë të përdorur gjatë evakuimit të së martës do të kthehen në qytet nga qyteti qendror i Poltava për të ndihmuar evakuimet nga rreth orës 14:00 sipas kohës lokale, tha ai.
08:00 Zhvillimet e fundit për situatën në Ukrainë
Vendet perëndimore po synojnë eksportet e naftës të Rusisë ndërsa pushtimi i Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin – i cili ka detyruar të paktën 2 milionë refugjatë të largohen nga vendi hyn në ditën e 14-të.
Evakuimi i Sumy: Një evakuim i përkohshëm nga qyteti verilindor i Ukrainës, Sumy u bë pasi një sulm ajror rus vrau 21 persona, sipas autoriteteve ukrainase. Rreth 5,000 njerëz u larguan nga qyteti të martën, sipas një zyrtari ukrainas.
Ndalimi i eksportit të naftës ruse: Presidenti Joe Biden njoftoi një ndalim të importeve të naftës, gazit natyror dhe qymyrit rus në SHBA, një hap që ai paralajmëroi se mund të çojë në rritje të çmimeve të gazit.
Mbretëria e Bashkuar tha se do të heqë gradualisht “importin e naftës dhe produkteve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022” dhe BE tha se planifikon të ulë importet e gazit rus me dy të tretat këtë vit dhe të heqë gradualisht varësinë para vitit 2030.
Avionët e Polonisë: SHBA-ja po dërgon raketa Patriot në Poloni si një “vendosje mbrojtëse” për të kundërshtuar çdo kërcënim të mundshëm ndaj aleatëve të SHBA-së dhe NATO-s, tha një zëdhënës i Komandës Evropiane të SHBA-së. Më herët të martën, Pentagoni hodhi poshtë propozimin e Polonisë për të transferuar avionët e saj luftarakë MiG-29 në SHBA për t’i dorëzuar Ukrainës, duke e quajtur atë të papranueshëm.
Zelensky: Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky iu drejtua Dhomës së Komunavetë Mbretëerisë së Bashkuar, duke u kërkuar ligjvënësve të forcojnë sanksionet kundër Moskës. Duke i bërë jehonë fjalimit të famshëm të ish-kryeministrit britanik Ëinston Churchill gjatë kohës së luftës, Zelensky tha: “Ne do të luftojmë deri në fund në det, në ajër. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për tokën tonë, pavarësisht nga kostoja.”
Ukraina e kujdesshme për armëpushimin: Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se “është e vështirë t’i besosh pushtuesit”, pasi Rusia njoftoi një armëpushim të ri duke filluar nga ora 10 e mëngjesit me orën e Moskës (09:00 ukrainase/02:00 ET) të mërkurën. Rusia tha se është e gatshme të sigurojë korridore evakuimi nga Kievi, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol, së bashku me qytetet e tjera të negociuara me palën ukrainase.
Civilët mbahen “peng”: Propozimi për armëpushim vjen pasi ministri i jashtëm i Ukrainës tha se trupat ruse po mbajnë “peng” 300,000 civilë në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit. Autoritetet ukrainase thanë se një kolonë e ndihmave humanitare për në qytet u përfshi nga zjarri.
Markat amerikane tërhiqen nga Rusia: McDonald’s dhe Starbucks u bënë bizneset e fundit perëndimore që u mbyllën në Rusi, pas Coca-Cola dhe PepsiCo, e cila po tërheq gjithashtu disa produkte nga vendi.
Top Channel