Polonia vendos të gjithë Mig-29 në dispozicion të SHBA-së: Do hyjë Amerika në Ukrainë?

09/03/2022 12:36

Polonia i ka shprehur Shteteve të Bashkuara gatishmërinë e saj për të dislokuar të gjithë avionët luftarakë MIG-29 që në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, si dhe për t`i vendosur ato në dispozicion të Amerikës.

Ministria  e Jashtme polake i bëri thirrje edhe vendeve të tjera të NATO-s të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Lëvizja e Varshavës erdhi një ditë pasi vetë ligjvënësit amerikanë i kërkuan administratës Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë dhe të vendeve të tjera të NATO-s dhe të Europës Lindore. Kërkesa e tyre pasoi një apel të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski.

“Autoritetet e Republikës së Polonisë… janë të gatshme të dërgojnë menjëherë dhe falas të gjithë avionët reaktivë MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t’i vendosin ato në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ministria polake.

Pentagoni megjithatë, nuk e konsideron të nevojshme një gjë të tillë, të paktën jo për momentin, ndaj siç thotë CNN, e ka hedhur poshtë propozimin e Polonisë.

Sekretari i shtypit, John Kirby u shpreh se  Pentagoni nuk beson që propozimi polak është i qëndrueshëm. “Thjesht, nuk ka një arsye thelbësore për ta bërë një gjë të tillë”, tha Kirby, duke shtuar se do të vazhdojnë për çdo rast të vazhdojnë konsultimet me Poloninë dhe aleatët e tjerë të NATO-s për këtë çështje dhe sfidat e vështira logjistike që ajo paraqet.

 

Top Channel