Bombardohet materniteti në Mariupol/ Reagon Zelensky: Kjo është mizori

09/03/2022 19:27

Në ditën e 14 të pushtimit rus, bombardimet kanë shkatërruar edhe godinën e një materniteti në qytetin e Mariupol, ndërsa ende nuk është e qartë se sa viktima dhe të plagosur ka.

Presidenti Zelensky, postoi një video në tëitter nga sulmi të cilin e ka quajtur mizor, duke bërë thirrje që të mbyllet hapësira ajrore menjëherë.

“Kjo është mizori. Edhe sa kohë do të jetë bota një bashkëpunëtor që injoron terrorin? Mbylle qiellin tani! Ndaloni vrasjet! Ju keni fuqi, por ju duket se po humbni njerëzimin”.

Edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe t’u vijë në ndihmë rreth 400,000 njerëzve aktualisht të rrethuar nga forcat ruse në juglindje të Mariupolit, i cili tashmë është në limit të rezervave të ujit dhe ushqimeve.

Dymtro Kuleba akuzoi Rusinë se mban peng qytetarët dhe i bëri thirrje Perëndimit të detyrojë “Rusinë të ndalojë luftën e saj barbare ndaj civilëve dhe foshnjave.

Sulmi ndaj maternitetit vjen në nje kohë, kur Rusia më herët ra dakord për një armëpushim të ri 12-orësh për të lejuar civilët të largohen nga gjashtë nga zonat e prekura më keq në Ukrainë.

Por jo gjithçka po ecën sipas planit. Në Izyum, Kharkivi lindor, një zyrtar thotë se evakuimi i civilëve “është penguar nga bombardimet ruse”. Oleh Synehubov tha se shpërthimet në periferi nënkuptojnë se autokolonat e evakuimit nuk mund të largohen.

Në Sumy, në verilindje të Ukrainës, tabloja është krejt ndryshe. Njerëzit kanë mundur të largohen nga qyteti me makina private dhe autobusë që nga mëngjesi i sotëm, tha kryebashkiaku i qytetit.

Dhe në Enerhodar, në jug të Ukrainës, autokolona me gra dhe fëmijë kanë mundur të largohen, konfirmon kryebashkiaku i saj.
Deri më tani , më shumë se 2 milion njerëz kanë ikur nga ukraina, gjysma e të cilëve sipas UNICEF janë fëmijë.

Një zyrtar i lartë amerikan thotë se deri më tani Rusia ka lëshuar 710 raketa kundër Ukrainës dhe se forcat ruse janë afruar më shumë në qytetet Kharkiv dhe Mykolaiv.

‘Forcat ruse u afruan me 20 km më shumë në ditën e fundit dhe tani janë jashtë Kharkiv-it, Rusia po ashtu është rreth 15 km në veri të Mykolaiv, shtoi ai. Zyrtari amerikan thotë se nuk ka pasur lëvizje të rëndësishme nga forcat ruse drejt Kievit ose Chernihiv, megjithëse vazhdojnë të ketë “shumë luftime” pranë këtij të fundit.

Top Channel