Statuja e Krishtit Shpëtimtar është hequr nga katedralja armene në Lviv të Ukrainës, e është dërguar në një bunker, për ta mbrojtur prej bombardimeve.
Hera e fundit që kishte ndodhur një gjë e tillë ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, kujton fotografi portugez Andre Luis Alves, i cili realizoi dhe foton dramatike të zhvendosjes së re të statujës, qe është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale. Dhe ky nuk është i vetmi episod i këtij lloji i raportuar ne qytetin e ndodhur 70 km nga kufiri me Poloninë.
Lilia Onyschenko, drejtuese e departamentit për mbrojtjen e trashëgimisë historike të Lvivit, thotë se po i mbështjellin skulpturat me material rezistent, me lesh xhami e alumin të posaçëm, me qëllimin t`i mbrojnë sa më shumë që të munden nga dëmtimi.
“Sigurisht, kjo nuk i shpëton dot ato skulptura që goditen drejtpërdrejtë, por nëse vala e goditjes është pak më larg, nuk do të përfundojnë të thërrmuara”, shprehet ajo duke theksuar se një pjesë të objekteve të tilla nuk i kanë spostuar dot sepse janë mjaft të mëdha. Në mesin e rrezikut që afrohet, ukrainasit e Lviv kanë menduar të shpëtojnë jo vetëm veten, por edhe historinë e tyre. “Vendosëm ta dërgonim në një vend të sigurt statujën e Krishtit, sepse sot, edhe objektet historike duhet të mbrohen ashtu si njerëzit”, tha at Jakubi i katedrales për të dërguarën e Corriere della Serës, Marta Serafini.
Një numër i madh besimtarësh ukrainas sakaq kanë vazhduar të shkojnë në kishë ku luten për shpirtin e viktimave, por edhe për ushtarët në front ndërsa padyshim, lutja e tyre më e madhe është që kjo luftë, të mbarojë sa më parë!
Top Channel