Përpjekja për uljen e çmimit të energjisë në tregun vendas, Trump përgatit planin për të ndaluar eksportet e naftës së papërpunuar nga SHBA
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar të ardhurat e Rusisë dhe për të penguar aftësinë e saj për të financuar luftën në Ukrainë.
Duke folur në gjuhën angleze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky tha se burimet financiare të Moskës duhet të mbeten në fokus të masave ndërkombëtare.
“Kur dikush i jep Rusisë më shumë para përmes tregtisë, i jep kësaj lufte më shumë kohë. Pikërisht për këtë arsye ne këmbëngulim në kufizimin e tregtisë me agresorin dhe për këtë arsye po i ulim vetë të ardhurat e Rusisë”, u shpreh ai.
Rusia do të ketë radhën për të folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të shtunën. Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka udhëtuar prej vitesh në këtë forum, ndërsa vendi i tij zakonisht përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov.
Lavrov deklaroi të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Rusia është e gatshme të negociojë për një paqe afatgjatë, por nuk pranon një “pauzë” në luftë. Sipas tij, një ndalim i përkohshëm i luftimeve do t’i jepte kohë Ukrainës dhe aleatëve të saj për të siguruar më shumë armë.
Gjatë fjalës së tij, Zelensky kritikoi presidentin rus dhe mënyrën se si vijon lufta.
“Diçka gjithmonë duket se e ndalon Putinin të thotë: ‘Kaq. Mjaft. Paqe’. A mund ta imagjinoni atë pa luftë? Ai është ‘Pacienti Zero’, ai nga i cili lufta vazhdon të përhapet më tej. ‘Pacienti Zero’ duhet të ndalet”, tha Zelensky.
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e saj të pestë, duke shkaktuar pasoja të mëdha humanitare, ekonomike dhe gjeopolitike.
Analistët perëndimorë vlerësojnë se qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët janë vrarë ose plagosur gjatë konfliktit, ndërsa as Moska dhe as Kievi nuk publikojnë shifra të plota zyrtare për humbjet e tyre ushtarake.
Konflikti ka ndikuar në tregjet globale të energjisë, plehrave kimike dhe drithërave, si dhe ka thelluar përplasjet politike mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.
Ndërkohë, ndërsa vijat e frontit në lindje dhe jug të Ukrainës kanë mbetur kryesisht të pandryshuara gjatë vitit të fundit, Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet me rreze të gjatë duke përdorur dronë dhe raketa.
Top Channel