Dita e dhjetë e luftës në Ukrainë! Rusia nuk respekton armëpushimin. E hëna rikthen tryezën Rusi-Ukrainë

05/03/2022 22:50

Ukraina mbylli ditën e 10-të të luftimeve dhe rezistencës ndaj agresionit rus.

Rusët po i afrohen centralit të tretë bërthamor, bombardimet vijojnë me intensitet

Forcat ruse tani kanë nën kontroll dy centrale bërthamore ukrainase dhe po përparojnë drejt një të treti, kështu tha presidenti i Ukrainës gjatë një telefonate me senatorët amerikanë të shtunën.

Volodymyr Zelensky tha se termocentrali i tretë që rrezikon të sulmohet është termocentrali bërthamor Yuzhnoukrainsk, i vendosur 120 kilometra (75 milje) në veri të Mykolaiv, një nga disa qytete që rusët po përpiqeshin ta mbanin të rrethuar të shtunën.

Një nga centralet nën kontrollin e rusëve është centrali bërthamor i Zaporizhzhia në qytetin juglindor të Enerhodar,  më i madhi në Evropë.

Tjetri është Çernobili, i cili nuk është aktiv, por ende ka staf dhe mirëmbahet.

Bombardimet e mëparshme ruse ndezën një zjarr në uzinën e Zaporizhzhia, i cili u shua pa lëshuar rrezatim.

Ndërkohë gjatë orëve të vona të së shtunës bombardimet ruse kanë vijuar në disa qytete ukrainase, ndërsa një raund i tretë negociatash është paralajmëruar mes palëve të hënën.

“Gratë e vajzat ukrainase po trafikohen”/ Daily Mail: Gënjehen nga tabelat për udhëtim falas

Media britanike Daily Mail ngre shqetësimin se në Ukrainë po veprojnë disa banda kriminale që po përfitojnë nga lufta dhe vala e refugjatëve, për të trafikuar vajza dhe gra.

Ushtria ruse “pushton” spitalin psikiatrik me 670 pacientë

Forcat ruse kanë marrë në kontroll një spital psikiatrik në Ukrainë ku 670 pacientë marrin shërbim të specializuar.

Rusët po braktisin Putinin/ Pas luftës, po i drejtohen Finlandës

Në Vaalimaa, pika kufitare e Finlandës me Rusinë, 120 milje në lindje të Helsinkit, autobusë dhe makina të shumta ndalohen për kontrolle pasaportash dhe doganore.

Por këta nuk janë ukrainas, janë rusë, dhe megjithëse fluksi nuk është i madh, ai është konstant.

18:58 Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do takohen të hënën për të vijuar me raundin e tretë të bisedimeve për paqe

Raundi i tretë i bisedimeve për paqe mes dy delegacioneve pritet të zhvillohet ditën e hënë. Lajmi është bërë me dije nga agjencia ruse e lajmeve Interfax. Mësohet se delegacionet do të takohen përsëri në Brest të Bjellorusisë. Në raundin e dytë të bisedimeve, Rusia dhe Ukraina, ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve. Kurse në raundin e parë, i cili u zhvillua në rajonin Gomel të Bjellorusisë, pas bisedimeve 5 orëshe, delegacionet ranë dakord për të mbajtur një raund të dytë të bisedimeve me qëllimin për të arritur një armëpushim së shpejti.

18:31 Ukrainasit largohen nga Kievi në këmbë, infrastruktura e shkatërruar vështirëson situatën

Qytetarët ukrainas që u evakuuan nga zonat Bucha dhe Irpin në veriperëndim të Kievit, iu desh të kalonin mbi lumin përmes një ure të shkatërruar me ndihmën e ushtarëve. 

18:02 Numri i njerëzve që duan t’i ikin luftës mund të shkojë në 1.5 milionë

Numri i njerëzve të cilët kërkojnë t’i ikin luftës në Ukrainë mund të kapë shumë shpejt shifrën e 1.5 milionë, thotë OKB. “Kjo është lëvizja dhe zhvendosja më e shpejtë e njerëzve që kemi parë në Europë që nga lufta e dytë botërore”, thotë organizata për Reuters. Deri më tani 1.3 milion njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre që kur pushtimi rus filloi.

17:29 Britanikët mbledhin 85 milionë paund për Ukrainën

Më shumë se 85 milionë paund janë mbledhur në vetëm dy ditë nga ana e qytetarëve të Britanisë së Madhe, të cilët kanë treguar solidarizimin e tyre me popullin ukrainas, duke kërkuar t’ju vijnë në ndihmë. Komiteti i Emergjencave dhe Fatkeqësive në Britani, përbëhen nga 15 organizata bamirëse, të cilat janë angazhuar të gjitha në këtë nismë. Fushata humanitare u fillua të enjten në mëngjes dhe u përmbyll të premten në orët e vona të natës.

16:38 Momenti kur forcat ukrainase rrëzojnë helikopterin rus (Video)

Ky është momenti kur rrëzohet një helikopter i forcave ruse në Ukrainë. Në pamjet e publikuara në Facebook dhe Twitter, mjeti ushtarak duket ndërsa fluturon në një lartësi të ulët para se të qëllohet dhe shpërthejë në flakë. Pamjet kanë bërë xhiro në rrjetet sociale, por është paqartë vendi ku është filmuar. Sipas grupit të gazetarëve investigativë “Bellingcat”, pamjet janë filmuar në Kozarrovychi, 32 kilometra larg Kievit.

16:20 Suedia dhe Finlanda do të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin këtë të shtunë deklaroi se Suedia dhe Finlanda do të forcojnë bashkëpunimin e tyre të sigurisë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në një konferencë të përbashkët shtypi me homologen e saj suedeze, Marin tha se “lufta e Rusisë kundër një kombi sovran evropian e vë në rrezik rendin e sigurinë evropiane”, raportoi Reuters. Duke folur në Helsinki, Marin shtoi se “në këtë mjedis të ndryshueshëm të sigurisë, Finlanda dhe Suedia, do të forcojnë më tej bashkëpunimin”.

16:04 Rusia gjithnjë dhe më e izoluar nga bota

Që kur filloi pushtimi rus në Ukrainë, Rusia e ka gjetur veten gjithnjë e më të izoluar. Rezoluta e OKB-së që dënon pushtimin, e miratuar të mërkurën nga shumica e vendeve të botës, tregon izolimin e saj politik. Sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë intensifikuar dhe janë bërë edhe më shkatërruese se sa pritej, duke e izoluar Rusinë edhe ekonomikisht.

15:21 Putin: Çdo vend që përpiqet të vendosë zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë është pjesëmarrës në konflikt

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se çdo vend që përpiqet të vendosë zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, do të konsiderohet pjesëmarrës në konflikt. Ndërkaq, Putin është ndaluar edhe tek informacioni që ka qarkulluar ditët e fundit në lidhje me vendosjen e ligjit marshall në vend. Ai theksoi se Moska zyrtare nuk ka plane për të vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në Rusi.

15:09 Banorët e Mariupol në Ukrainë po jetojnë në kushte të mjerueshme

Anëtarët e Organizatës Mjekët pa Kufij kanë raportuar “kushte të rënda” jetese të shtunën në Mariupol, Ukrainë. Në një deklaratë për mediet, të shtunën, një anëtar i stafit të organizatës tregoi se situata atje është e rëndë, pasi bombardimet ishin shumë të forta dhe pranë zonave të banueshme.

14:46 Policia italiane sekuestroi jahte me vlerë 140 milionë euro nga oligarkët rusë

Policia italiane ka sekuestruar vila dhe jahte me vlerë 140 milionë euro nga katër oligarkë rusë, të cilët ishin vendosur në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian pas pushtimit rus në Ukrainë. “Reuters”, shkruan se një vilë në pronësi të biznesmenit miliarder, Alisher Usmanov në Sardinia dhe një vilë në liqenin Como në pronësi të prezantuesit të televizionit shtetëror rus Vladimir Soloviev, të dyja ishin sekuestruar.

14:30 FOTOT/ E gjithë bota krah Ukrainës, protestat vijojnë kundër luftës

Mijëra njerëz janë mbledhur në qytete anembanë botës për të protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Fotot e mëposhtme të realizuara nga BBC janë nga Zvicra, Kroacia, Tajlanda, Londra dhe Bath në Mbretërinë e Bashkuar.

14:00 Evakuimi që nuk u bë kurrë

Një armëpushim i rënë dakord midis Rusisë dhe Ukrainës, për të lejuar civilët të evakuojnë dy qytete juglindore të Ukrainës  është ‘shkatërruar’, vetëm disa orë pasi u njoftua.

13:40 Rusia: “Nacionalistët” ukrainas penguan evakuimin e civilëve

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit tha për BBC-së se Rusia vazhdoi të bombardonte zonën pavarësisht se u vendos armëpushim. Por ministria ruse e mbrojtjes ka një version shumë të ndryshëm të ngjarjeve. Ai thotë se “nacionalistët” ukrainas i penguan civilët të largoheshin nga qytetet, sipas agjencisë ruse të lajmeve Ria.

13:20 Dyshohet se tradhtoi vendin, vritet negociatori ukrainas

Një negociator ukrainas është vrarë nga Shërbimi i Sigurimit pasi dyshohet se tradhtoi vendin duke komunikuar me Rusinë. Sipas burimeve të Ukrainska Pravda, një anëtar i delegacionit negociues ukrainas që u takua me Rusinë, u qëllua për vdekje nga oficerët e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës. Dyshohet se Denys Kirieiev, ish nënkryetar i Oschadbank po i jepte informacione  Rusisë.

12:16 Pala ruse nuk respekton armëpushimin/ Evakuimi i Mariupolit është shtyrë

Evakuimi i civilëve nga Mariupol është shtyrë, sipas këshillit të qytetit Mariupol. Ai thotë se pala ruse nuk e ka respektuar armëpushimin e përkohshëm.

11:00 Escobar: Forca është bashkimi ynë! Putini zgjodhi luftën

“Bota ka ndryshuar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe forca e mbështetjes për Ukrainën gjatë ditëve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Ne i bashkohemi thirrjes ndërkombëtare për të gjitha vendet, dhe veçanërisht ato në Europë, për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të refuzuar pa ekuivok pushtimin e paligjshëm nga Rusia të fqinjit të saj, Ukrainës. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dëgjuar këtë thirrje. I përgëzoj ato për qëndrimin e tyre të vendosur krah Bashkimit Europian dhe botës së lirë.”

10:56 Ukraina paralajmëron Rusinë: Mos abuzoni me armëpushimin

Rusia nuk duhet të përfitojë nga një korridor humanitar për të çuar përpara trupat e saj, paralajmëroi zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Ajo tha se qeveria e saj po “verifikonte” informacionin se trupat ruse po përdornin armëpushimin për t’u afruar me pozicionet ukrainase në zonat përgjatë rrugëve të evakuimit.

 10:30 Kush është gazetari që u shpëtoi plumbave rus

Stuart Ramsay është gazetari që u shpëtoi plumbave rus, ndërsa makina me të cilën udhëtonte u qëllua me breshëri pranë Kievit. Situata në Ukrainë sa vjen bëhet edhe më e frikshme, ndërsa njëri prej gazetarëve të “Sky News” u plagos nga sabotuesit rusë pranë Kievit.

 10:00 Çfarë ndodhi gjatë 24 orëve të fundit në Ukrainë

 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një takim urgjent të premten, ku një zyrtar i lartë i OKB-së bëri thirrje për bashkëpunim me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së dhe për kalim të sigurt në Ukrainë.

 9:33 Pamjet e frikshme! Gazetarët qëllohen me breshëri plumbash pranë Kievit, plagoset njëri prej tyre

Situata në Ukrainë sa vjen bëhet edhe më e frikshme, ndërsa njëri prej gazetarëve të “Sky News” u plagos nga sabotuesit rusë pranë Kievit. Ata dëgjohen të thonë ”ndaloni jemi gazetarë”, ndërsa sabotuesit rusë qëllonin me breshëri plumbash mbi makinën e tyre.

9:20 Helikopterët rusë sulmojnë qytetin e Mariupolit

BBC ka arritur të verifikojë disa pamje të helikopterëve rusë duke sulmuar qytetin e Mariupolit, i cili është nën rrethim që nga e enjtja. Qyteti jugor, me më shumë se 400 mijë banorë, është afër kufirit rus dhe është kyç për krijimin e një korridori tokësor që lejon rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia të bashkojnë forcat në Krime.

09:00 Zelensky hedh poshtë akuzat se është arratisur nga Ukraina

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky postoi një video në llogarinë e tij zyrtare në Instagram të premten, duke thënë se ai është ende në kryeqytetin Kiev dhe nuk ka ikur nga vendi.  “Çdo dy ditë dalin informacione se unë kam ikur, kam ikur nga Ukraina, nga Kievi, nga zyra ime. Siç mund ta shihni, unë jam këtu në vendin tim, Andriy Borisovich (Yermak) është këtu. Askush nuk ka ikur askund. Ne jemi duke punuar”, tha Zelensky.

08:40 Rusia shpall armëpushim sot dhe hap korridoret humanitare për civilët

Ushtria ruse do të ndalojë të shtënat dhe do të lejojë civilët të largohen nga Mariupol dhe Volnovakha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se do të ndalojë bombardimet e saj në Ukrainë të shtunën, për të lejuar që civilët të largohen të sigurt.

Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz të premten se një raund i tretë i bisedimeve ishte planifikuar për këtë fundjavë. Luftimet kanë vijuar gjatë natës në Mariupol dhe Chernihiv, qytete në Ukrainën veriore.

Ushtria ruse vijon të avancojë në qytetin e Mariupolit dhe qytetin verior, Chernihiv.

Qyteti jugor, shtëpia e më shumë se 400 mijë njerëzve, është afër kufirit rus dhe kyç për krijimin e një korridori tokësor që lejon rebelët e mbështetur nga Rusia në Luhansk dhe Donetsk të bashkojnë forcat në Krime. Këtë fundjavë pritet që Kievi dhe Moska të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve, duke shpresuar për një rezultat pozitiv.

Kujtojmë se dy raundet e mëparshme janë mbajtur në Bjellorusi, pa rezultat. Ditën e hënë gjithashtu pritet të mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të diskutuar krizën humanitare në Ukrainë me kërkesë nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria.

Derisa numri i viktimave civile është ende i paqartë, agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se mbi milion njerëz kanë ikur nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.Qyteti i parë ukrainas që u pushtua ishte Herson.

Raketat ruse synojnë gjithashtu kryeqytetin Kiev dhe qytetin e dytë më të madh Harkiv, derisa një kolonë masive e blinduar që i afrohet Kievit vazhdon të jetë e bllokuar në rrugë, ndërsa pentagoni thotë se është 25 km larg nga qendra e kryeqytetit.

Trupat ruse kanë kapur gjithashtu centralin bërthamor të Zaporizhja, më i madhi në Evropë, pasi e kanë granatuar për orë të tëra të premten.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Rusisë duke pasur mbështetjen edhe të vendeve të tjera aleate.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel