Banorët e Mariupol në Ukrainë po jetojnë në kushte të mjerueshme

05/03/2022 15:09

Anëtarët e Organizatës Mjekët pa Kufij kanë raportuar “kushte të rënda” jetese të shtunën në Mariupol, Ukrainë.

Në një deklaratë për mediat, të shtunën, një anëtar i stafit të organizatës tregoi se situata atje është e rëndë, pasi bombardimet ishin shumë të forta dhe pranë zonave të banueshme.

Dje mblodhëm dëborë për të siguruar pak ujë. Jemi përpjekur për të siguruar ujë falas sot, por radha ishte e gjatë. Gjithashtu, donim të merrnim edhe bukë “sociale” por nuk është shumë i qartë orari dhe vendet se ku shpërndahet. Sipas njerëzve, shumë dyqane ushqimore u shkatërruan nga raketat dhe gjërat që mbetën u morën me shpejtësi nga njerëzit. Ende nuk ka ardhur energjia elektrike, uji i pijshëm, duke mos pasur as ngrohje por as lidhje me internetin. Askush nuk ka dëgjuar për ndonjë evakuim. Farmacitë janë bosh”, tha ai.

Sipas organizatës njerëzit janë të bllokuar në Mariupol, ku lufta mbërriti aq befas, sa shumë njerëz e kanë të pamundur të largohen.

Drejtoresha e Operacioneve të Organizatës Mjekët pa Kufij, Christine Jamet të shtunën bëri thirrje për një korridor sigurie për të lejuar civilët të largohen nga Mariupol, duke përfshirë edhe stafin e organizatës dhe familjet e tyre.

“Civilët nuk duhet të bllokohen në një zonë luftë”, tha Jamet, duke shtuar se “njerëzit që duan të largohen nga lufta duhet të kenë sigurinë për ta marrë një vendim të tillë, pa pasur frikë nga lufta”.

Top Channel