Një armëpushim i rënë dakord midis Rusisë dhe Ukrainës, për të lejuar civilët të evakuojnë dy qytete juglindore të Ukrainës  është ‘shkatërruar’, vetëm disa orë pasi u njoftua.

Qyteti kryesor port i Mariupolit dhe qyteti më i vogël i Volnovakha janë nën bombardime jashtëzakonisht të rënda për disa ditë.

Por e shtuna filloi me një lajm pozitiv, me njoftimin se civilët do të lejoheshin të largoheshin midis orëve 09:00 – 16:00 me kohën lokale (07:00 – 14:00 GMT).

Një armëpushim duhej të ishte në fuqi në të njëjtën kohë. Por kjo nuk ndodhi, nuk kishte një armëpushim nga pala ruse të cilët bombarduan në çdo moment në qytete.

Sipas BBC, ka raporte për luftime rreth qytetit të Orikhiv, i cili është në rrugën e daljes nga Mariupol.

Më pas, BBC dëgjoi nga nënkryetari i bashkisë së Mariupolit dhe nga një banor në qytet se forcat ruse ende po bombardonin zonën.

Këshilli i qytetit të Mariupolit njoftoi se evakuimi i civilëve ishte shtyrë sepse siguria e tyre nuk mund të garantohej më.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thotë se armëpushimi u prish kur “nacionalistët” ukrainas qëlluan mbi trupat e saj.

 

Top Channel