Policia italiane sekuestroi jahte me vlerë 140 milionë euro nga oligarkët rusë

05/03/2022 14:46

Policia italiane ka sekuestruar vila dhe jahte me vlerë 140 milionë euro nga katër oligarkë rusë, të cilët ishin vendosur në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian pas pushtimit rus në Ukrainë.

“Reuters”, shkruan se një vilë në pronësi të biznesmenit miliarder, Alisher Usmanov në Sardinia dhe një vilë në liqenin Como në pronësi të prezantusit të televizionit shtetëror rus Vladimir Soloviev, të dyja ishin sekuestruar.

Përveç kësaj, burimet konfirmuan se jahtet që i përkisnin njeriut më të pasur të Rusisë, Alexei Mordashov dhe Gennady Timchenko, i cili ka lidhje të ngushtë me presidentin rus, Vladimir Putin, iu konfiskuan gjatë natës në portet veriore të Italisë.

Oligarkët rusë besohet se kanë blerë vila të shumta në zona shumë të preferueshme në Itali gjatë 20 viteve të fundit dhe burimet thanë se më shumë asete priten të sekuestrohen në ditët në vijim, pasi shtetet perëndimore zbatojnë sanksione në përpjekje për të detyruar Rusinë të tërhiqet nga Ukraina.

Bankat italiane u udhëzuan nga divizioni i inteligjencës financiare të Bankës së Italisë të premten që të njoftonin urgjentisht për të gjitha masat e marra për ngrirjen e aseteve të njerëzve dhe subjekteve të vendosura në listën e BE-së.

Usmanov, një manjat i metaleve dhe telekomit me origjinë nga Uzbekistani, është i njohur në Itali për zotërimin e pronave të shumta në Sardenjë, ndërsa mediat italiane thonë se Mordashov zotëronte një vilë me vlerë 66 milionë euro në të njëjtin ishull.

Duke marrë parasysh asetet e të gjithë familjes së tij, revista Forbes vlerësoi se Mordashov kishte një vlerë neto prej 29.1 miliardë dollarë përpara se të goditeshin sanksionet.

Jahti i tij 65 metra, “Lady M”, kishte një çmim prej 65 milionë euro dhe u konfiskua në portin veriperëndimor të Imperia, ndërsa anija e Timchenkos, Lena, e cila vlen 50 milionë euro, u sekuestrua në Sanremo.

Timchenko krijoi një pasuri në tregtinë e naftës dhe është përshkruar nga Putin, si një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Soloviev, thuhet se u ankua në televizionin rus, kur mori vesh muajin e kaluar se rrezikonte të humbiste vilën e tij italiane.

Papritmas, dikush merr vendim që ky gazetar tani është në listën e sanksioneve. Dhe menjëherë kjo ndikon në pasurinë tuaj të paluajtshme. Prit një minutë. Por, as na thatë ju se Evropa ka të shenjtë të drejtën e pronësisë”, tha ai.

BE-ja ka lëvizur shpejt kundër individëve që shihen si të afërt me qeverinë ruse, Britania ka ecur më ngadalë.

Megjithatë, Boris Johnson u citua të thoshte të shtunën se ndryshimet në legjislacionin britanik për krimet ekonomike do të paraqiteshin në parlament të hënën për të ndihmuar qeverinë të vepronte me më shumë shpejtësi.

Top Channel