Raundi i tretë i bisedimeve/ Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës takohen të hënën

05/03/2022 18:58

Raundi i tretë i bisedimeve për paqe mes dy delegacioneve pritet të zhvillohet ditën e hënë. Lajmi është bërë me dije nga agjencia ruse e lajmeve Interfax. Mësohet se delegacionet do të takohen përsëri në Brest të Bjellorusisë.

Në raundin e dytë të bisedimeve, Rusia dhe Ukraina, ranë dakord të krijojnë korridore humanitare për evakuimin e civilëve dhe për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve.

Fatkeqësisht, për keqardhje të madhe nuk arritëm rezultatet që prisnim. E vetmja gjë që mund të them, kemi diskutuar thellësisht për aspektet humanitare sepse tani janë të rrethuar shumë qytetarë. Gjendja është dramatike me ushqime, barna, mundësi evakuimi”, tha Mikhail Podolyak në një konferencë shtypi pas përfundimit të raundit të dytë të bisedimeve Rusi-Ukrainë në rajonin bjellorus Brest.

Kurse në raundin e parë, i cili u zhvillua në rajonin Gomel të Bjellorusisë, pas bisedimeve 5 orëshe, delegacionet ranë dakord për të mbajtur një raund të dytë të bisedimeve me qëllimin për të arritur një armëpushim së shpejti.

Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit rus, tha se ata diskutuan të gjitha pikat e rendit të ditës një nga një, duke theksuar se, “Gjetën disa pika që mund t’i parashikojmë në qëndrime të përbashkëta”.

Top Channel