Janë mbyllur katër ndeshjet e mbetura të “Play Off-it” në takimet e para të raundit të 1/16-ave për Europa Conference League.
Marseille ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Qarabag-ut, në një ndeshje që është dominuar në pjesën më të madhe të saj nga francezët.
Dy gola janë shënuar në pjesën e parë, me Milik që zhbllokoi rezultatin në minutën e 41’, ndërsa 3 minuta më pas ishte po ai, i cili i dhuroi golin e dytë ekipit të Marseille.
Pjesa e dytë solli një përballje më të fortë, me ekipin nga Azerbajxhani që këmbënguli dhe ia doli të shënonte në minutën e 85’ me Kady-n. Megjithatë francezët reaguan shpejt dhe realizuan golin e tretë të tyre në minutën 90+2 me Payet dhe në këtë mënyrë ruajtën diferencën me dy gola ndaj kundërshtarëve të Qarabag.
Leicester City e ka pasur të thjeshtë të fitojë ndaj danezëve të Randers. Anglezët e mbyllën këtë përballje me rezultatin 4-1. Në pjesën e parë të dyja skuadrat ishin mjaft kërkuese dhe u ndanë në paqe me rezultatin 1-1. Goli i parë i kësaj përballjeje u realizua nga Ndidi në minutën e 23’, duke i dhënë kështu avantazhin Leicesterit. Megjithatë në minutë e 45’ Randers mundi që të barazonte, falë golit të realizuar nga Hammershoy-Mistrati.
Pjesa e dytë e këtij takimi erdhi shumë ndryshe. Leicester shënoi dhe tre gola të tjerë, me Barnes në minutën e 49’ dhe më pas ishte Daka ai që trefishoi shifrat për vendasit në minutën e 54’, minuta e 74’ solli një tjetër gol për vendasit, me Dewsbury që shënoi të katërtin dhe i dhuroi “poker” anglezëve.
Celtic e ka pësuar në shtëpi nga ekipi i Bodo/Glimt. Norvegjezët kanë fituar në transfertë me rezultatin 1-3. Goli i parë i kësaj sfide është realizuar në minutën e 7’ nga Espejord, duke e mbyllur këtë fraksion me shifrat 0-1. Më pas skocezët do të merrnin goditjen e dytë në minutën e 55’. Ishte Pellegrino ai i cili i dhuroi dopietën ekipit të Bodo/Glimt.
Ndërsa në minutën e 79’ vendasit arritën që të realizonin golin e tyre të parë me Maeda. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Bodo/Glimt, që e çoi rezultatin e këtij takimi në 1-3, me golin e realizuar nga Vetlesen në minutën e 81’. Ndërsa Sparta Prague dhe Partizani i Serbisë janë ndarë me shifrat 0-1. Ekipi i serbëve ia ka dalë që të marrë fitoren e kësaj ndeshje pas 78 minutave lojë, me Mening që arriti të shënonte në portën e çekëve.
Këto skuadra do të takohen sërish pas një javë, pra më 24 shkurt për ndeshjet e kthimit të “Play Off-it” të raundit të 1/16-ave, që do të përcaktojë më pas 8 ekipet që kalojnë në raundin tjetër të Europa Conference League.
Top Channel