Eksportet shqiptare e kanë nisur vitin 2022 me rritje. Të dhënat e publikuara nga Instat tregojnë se në janar vlera e mallrave të eksportuara jashtë vendit arriti në 35 miliardë lekë apo rreth 288.5 milionë euro. në raport me janarin e kaluar, janë rritur me më shumë se 90.7 milionë euro.
Ndikimin më të madh në ecurinë pozitive të tregtisë së mallrave e kanë dhënë eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse me mbi 9.3 miliardë lekë, grupi që ka shënuar edhe rritjen më të madhe në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, 5.8 miliardë lekë më shumë.
Zgjerim kanë parë edhe eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve muajin e kaluar pasi vlera e tyre arriti në rreth 53.5 milionë euro.
Industria fason nga ana tjetër duket se nuk është rikuperuar plotësisht nga pasojat e krizës, pasi rritja e eksporteve të tekstileve e këpucëve ka qenë e moderuar gjatë janarit. Në total, eksportuan 10 miliardë lekë mallra drejt vendeve partnere, vetëm 6.5 milionë euro më shumë se kundrejt janarit të shkuar.
Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Europian janë zgjeruar ndjeshëm këtë periudhë duke arritur në 26.5 miliardë lekë. Italia vijon të dominojë listën e vendeve partnere drejt të cilave vendi eksporton më shumë mallra me 16.4 miliardë lekë të totalit, duke u rritur me 4.4 miliardë lekë apo mbi 36 milionë euro.
Veç saj, rritje ka parë edhe vlera e eksporteve drejt Kosovës e Gjermanisë, teksa janë tkurrur ndjeshëm drejt Spanjës me gati 13 milionë euro më pak muajin e kaluar.
Ndërsa importet janë rritur me rreth 10 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2021, duke prekur nivelin e 55 miliardë lekëve. Megjithatë, në raport me dhjetorin e vitit të kaluar janë tkurrur me 33 miliardë lekë.
Performanca pozitive e eksporteve të mallrave këtë periudhë ka bërë që deficiti tregtar i vendit të ngushtohet në rreth 20 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 7.7% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Top Channel