“Godisni grupet kriminale”, Hita urdhër strukturave të Policisë në Korçë, Tiranë e Dibër: Kapni shtetasit në kërkim

11/09/2026 17:46

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skender Hita në një takim me strukturat e policisë në Korçë, Tiranë dhe Dibër, vuri theksin te siguria e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Për përmbushjen e këtij prioriteti absolut, Hita kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave të Policisë vendore, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.

Në këtë kuadër, Hita kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për përcaktimin dhe goditjen e elementeve që nxitin nxënësit në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, gjatë takimeve Drejtori Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë:

* goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale;

* forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive;

* përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë;

* rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Më tej, ai theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.

Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.

Top Channel