Të shtëna me armë zjarri në Urakë, disa persona qëlluan drejt një makine të parkuar në oborrin e një shtëpie, gjendet një automjet i djegur 2 km larg vendngjarjes

13/09/2026 10:23

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e ditës së djeshme në fshatin Urakë të Matit.

Blutë bëjnë me dije se disa persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të një automjeti të parkuar në oborrin e një banese.

Makina ka pësuar dëmtime materiale, ndërsa rreth 2 kilometra larg vendit të ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet të vjedhur, brenda të cilit janë sekuestruar edhe dy kallashnikovë të dëmtuar pjesërisht nga zjarri.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Mat

Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.

Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.

Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel