Pas momenteve të panikut që shoqëruan ndeshjen Besëlidhja – Korabi, kur Lorenc Trashi ra pa ndjenja në fushë në minutën e 44-t, vjen një tjetër reagim qetësues nga vetë futbollisti.

Në një komunikim të vazhdueshëm ekskluziv për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, ish-lojtari i kombëtares ka shuar përfundimisht frikën për ndonjë problem kardiak, një makth i njohur në botën e futbollit në raste të tilla.

Trashi ka sqaruar se shkaku i vetëm i kolapsit ishte gjendja e rënduar trupore dhe sforcimi fizik i pamenaxhueshëm. “Thjesht më ra një gjendje si të fikët, isha i pafuqishëm, me temperaturë dhe s’po ndihesha mirë. Kam qenë me temperaturë para ndeshjes dhe nuk bëra kontroll. Në fushë isha me 39.5,” – thekson ai, duke zbuluar prapaskenën e rrëzimit pa asnjë kontakt me kundërshtarët.

Për të hequr çdo dyshim mbi gjendjen e tij të përgjithshme shëndetësore, lojtari ka theksuar se zemra e tij funksionon në mënyrë perfekte. “Të hënën kam lënë të bëj disa vizita të specializuara, por nga zemra nuk kam gjë. Madje, kontrollet e përgjithshme mjekësore i bëmë para dy javësh me ekipin dhe çdo gjë ishte shumë mirë,” – shton Trashi.

Ndërhyrja e shpejtë e stafeve mjekësore dhe transportimi me autoambulancë drejt spitalit të Lezhës bënë të mundur stabilizimin e tij të menjëhershëm, duke e lënë këtë ngjarje thjesht si një episod të frikshëm të shkaktuar nga neglizhimi i një temperature të lartë.

Top Channel