Shkencëtarët krijojnë maskën transparente kundër koronavirusit, lehtëson komunikimin mes njerëzve

21/10/2021 16:48

Mbajtja e maskës është bërë e detyrueshme në të gjitha hapësirat publike dhe transportin publik në Hong Kong, që nga korriku i 2020 për të luftuar përhapjen e Covid-19.

Por studiuesit e Universitetit të Lingnan në Hong Kong kanë zbuluar një lloj të ri maske, transparente në fytyrë, e cila sipas tyre mundëson një komunikim pa pengesa.

Ajo është krijuar me ndihmën e teknologjisë 3D dhe nuk është maska e parë që përfshin materiale transparente.

Sipas shkencëtarëve, kjo maskë u krijua e tillë, me qëllimin për të ndihmuar të gjithë ata persona që shfaqin probleme me dëgjimin dhe që e kanë të detyrueshme të shohin buzët e tjetrit teksa lëvizin.

Pas kësaj ideje qëndron Dr.Albert Ko, i cili është drejtor i iniciativës së sipërmarrjes në universitet. Atij, së bashku me ekipin iu nevojit një vit i plotë për të krijuar këtë lloj maske, e cila është transparente dhe e ripërdorshme.

Dr Albert Ko, drejtor i nismës së sipërmarrjes në Universitetin Lingnan të Hong Kongut

Dr Ko tha se për krijimin e saj u frymëzua nga gjeometria e avionëve luftarakë stealth, e kombinuar me përdorimin e dizajnit të poligonit dhe sipërfaqeve të sheshta për të minimizuar reflektimet.

Ajo çfarë është më e rëndësishme tek kjo maskë, sipas tij, është filtra e ajrit e cila përbëhet nga disa grimca me kosto të ulët dhe që duhet të zëvendësohet vetëm çdo dy javë.

Top Channel