Raheem Sterling “plas bombën”. Futbollisti i Manchester City-t në një intervistë të fundit ka pranuar se është i hapur të largohet nga Citizens, ku kohet e fundit nuk po ndihet komod. Skemat e Pep Guardiolës nuk po i përshtaten lojës së 26-vjeçarit.

“Nëse do të kishte një mundësi për të shkuar diku tjetër, në këtë moment, do të isha i hapur. Duhet të mësoj një gjuhë tjetër. Më pëlqejnë shumë theksi francez dhe si spanjoll”.

Më i qartë se kaq nuk mund të jetë sulmuesi i “Tre Luanëve”. Spanjishten mund ta përvetësojë lehtësisht në “gjirin” e Realit të Madridit, ose nё “Camp Nou”, ndërsa frëngjishten nën kullën Eiffel, te PSG. Ish-futbollisti i Liverpoolit mbetet i rëndësishëm për Guardiolën, por në rolin e zëvendësuesit dhe me vetëm pak ndeshje si titullar.

Në këtë sezon, Sterling numëron vetëm katër takime nga minuta e parë dhe ka shënuar vetëm një gol. Pep e ka vendosur në rolin e sulmuesit anësor, pas sulmuesit kryesor, por anglezi dëshiron të jetë pikë referimi në fazën e avancuar në një klub tjetër. Kontrata e tij përfundon në vitin 2023 dhe City është i vetëdijshëm se ia vlen ta shesësh menjëherë para se të përballet me largimin e tij me kosto zero. Vitet e fundit, Sterling ka ëndërruar që të luajë për Realin e Madridit ose Barcelonën.

“Si lojtar anglez, gjithçka që njoh është Premier League. Gjithmonë e kam ditur se ndoshta një ditë do të më pëlqente të luaja jashtë vendit dhe të shihja se si do ta përballoja sfidën,” – shpjegon më tej Sterling. Me fjalë të tjera, e ardhmja e tij duket se do të jetë larg kufijve britanikë. Ai është ende në rritje dhe ka moshën e duhur për t’u bërë “yll” diku tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA