Italia e mbylli fazën e parë të Nations League me 2 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Në përfundim të 4 ndeshjeve të para të këtij kompeticioni, trajneri i Të Kaltërve bën bilancin dhe e vlerësoi këtë eksperiencë me nota pozitive por ngeli në klasë formatin e Nations League.

‘Të qenit bashkë me djemtë ishte një gjë pozitive, kjo është e sigurt-tha Mancini gjatë një ceremonie për Çmimin Vialli në Rimini-Katër ndeshje kështu janë shumë dhe nuk besoj se ky është një format ideal’.

Roberto Mancini bëri një vlerësim konkret për Të Kaltrit.

‘Besoj se është e nevojshme që të kemi një ekuilibër, ndeshje e parë ndaj Belgjikës nuk ishte një katastrofë dhe as ky moment nuk është diçka e jashtëzakonshme-tha Mancini-duhet të kemi ekuilibër; skuadra duhet të rritet, është një skuadër e re që do të bëhet akoma më e re me kalimin e muajve dhe që ka nevojë të bëjë edhe gabime. Është e nevojshme të kemi një ekuilibër, mendoj se është gjëja më e mirë’.

Ndërkaq edhe kombëtarja italiane U21 është mjaft mirë teksa është kualifikuar edhe në Evropianin e kësaj grupmoshe të vitit të ardhshëm.

‘Iu bëj komplimenta sepse skuadra U21 ka regjistruar një rezultat të  shkëlqyer-tha Mancini-u kualifikuan direkt për në Evropian, mendoj se është shumë pozitive. Komplimentoj Baldinin për punën që ka bërë; me siguri do të ketë shumë djem të talentuar që do të vijnë në kombëtaren e madhe’.

Padyshim që Roberto Mancini gjeti mundësinë që të flasë edhe për mikun e tij Gianluca Vialli.

‘Kujt nuk i mungon? Më mungon shumë Gianluca, siç iu mungon të gjithë shokëve të skuadrës së atyre viteve-tha Mancini-i mungon kombëtares dhe klubeve, iu mungon drejtuesve. Ai ishte diçka  speciale, ishte gjithnjë emocionuese të luaje me të’

Top Channel