E bujshme nga media portugeze: Cristiano Ronaldo, gati të lërë skuadrën kombëtare
Dani Olmo dhuron një pjesë të pagës së tij bruto vjetore në ndihmë të familjeve të Vukovar, një qytet kroat i prekur në mënyrë të veçantë nga lufta e Ballkanit.
Futbollisti i Barcelonës dhe përfaqësueses spanjolle e ndërmori këtë veprim për të falenderuar Kroacinë për gjithçka që i dha gjatë viteve që ai jetoi atje duke u formuar si futbollist te Dinamo e Zagrebit. Dani Olmo ka nisur të ndërmarrë këtë nismë që kur ishte në radhët e Leipzig dhe tani ai po e vijon këtë edhe te Barcelona.
Këtë histori e shpjegon në një podcast, Andy Bara, agjenti që bashkëpunon me mesfushorin spanjollë bashkë me përfaqësuesin e tij Juanma Lopez. Bara tregon se Dani Olmo jep 2% të pagës së tij, por sipas Common Goal shifra është 1%. Vetë Dani Olmo konfirmoi këtë donacion të tij në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Nations League mes Kroacisë dhe Spanjës.
‘Nuk e dija që do të dilte në dritë kjo-u shpreh Dani Olmo-kur u largova ndihesha në borxh me Kroacinë dhe doja t’ia ktheja me diçka, kështu që vendosëm të bëjmë këtë donacion në favor të familjeve të Vukovar. Ndihesha borxhli dhe besova se kjo ishte ideja më e mirë’.
Pas përgjigjes së marrë, media lokale nuk mundi të rrinte pa duartrokitur gjestin e futbollistit të kombëtares spanjolle. Donacioni ndahet me qytete të tjera të prekura si Slavinski Brod.
‘Kam qenë atje me djemtë dhe luajtëm pak këtë ditë-tha Olmo-bëmë disa aktivitete sportive. E ndjeja që duhet t’i jepja diçka Kroacisë dhe mendova se të veproja përmes ‘Common Goal’ ishte mënyra më e mirë’.
‘Common Goal’, shoqata e solidaritetit përmes të cilës Dani Olmo po bën donacionin e tij është krijuar nga ish futbollisti spanjoll Juan Mata dhe me të bashkëpunojnë futbollistë të ndryshëm. Kjo shoqatë mbështet organizata në mbi 100 vende të botës për të përmirësuar jetën e miliona të rinjve dhe ka si objektiv luftën kundër pabarazisë sociale.
Top Channel