Ermir Lenjani është gati. Mesfushori 32-vjeçar rikthehet në kombëtare, ku mungonte që nga miqësoret e qershorit. Ndihet në formë dhe transmeton frymën pozitive që gjen në grupin kuqezi me vështrimin nga Hungaria, ndeshje vendimtare për fatin e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe jemi gati të bëjmë një ndeshje të bukur ndaj Hungarisë. Unë jam në formë, sepse kam lënë pas problemet fizike dhe jam gati të jap kontributin tim”, deklaroi futbollisti.

Në 6 ndeshjet me Grasshopers ka dhënë katër asiste, shifra që flasin për momentin e mirë të prishtinaliut, që gjithsesi e ka të qartë se vendimi për ta rikthyer titullar apo jo I përket vetëm trajnerit. “Vendimin për formacionin e merr trajneri. Unë jam këtu, gëzoj formë të mirë fizike dhe jam gati të bëj më të mirën për të ndihmuar skuadrën nëse më kërkohet”, tha Lenjani.

Nuk mund të mungonte një koment për lamtumirën nga futbolli të Migjen Bashës, një prej emrave të spikatur të dekadës së fundit në mesfushën kuqezi. “Migjeni e ka bërë një karrierë të mirë në Itali, Greqi, Zvicër ka qenë një lojtar i rëndësishëm në Kombëtare, i uroj gjithë të mirat në familje dhe në karrierë”, u shpreh anësori kuqezi.

Për sa I përket Hungarisë, prishtinaliu është besimplotë se Shqipëria e ka potencialin për të dalë me një fitore, natyrisht nëse jep maksimumin. “Unë mendoj të fokusohemi vetëm te ndeshja me Hungarinë, i dimë që kemi kualitet të lartë si në nivelin personal dhe në atë ekipor. Do të fokusohemi të vetja jonë të japim kualitetet tona dhe të fitojmë ndeshjen e parë, më pas të shohim për Poloninë”, deklaroi futbollisti.

Lenjani vlerëson faktin se Hungarisë do ti mungojnë në këtë sfidë tifozët, teksa shikon një Shqipëri që sot është më e fortë se në të kaluarën. “Sigurisht, e dimë që Hungaria gjithmonë i ka tifozët e flaktë dhe stadiumi mbushet, ndaj mendoj se është shumë mirë për ne që nuk do të jenë këtë herë, por duhet të fokusohemi te loja te kualitetet tona”, tha futbollisti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA